Live

Jeton Kiqina i kundërpërgjigjet Shpresim Ukës: Po përpiqen të na njollosin me shpifje dhe gënjeshtra

23:33 / 28 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Jeton Kiqina një nga të dënuarit në rastin  “Kiqina”, i është kundërpërgjigjur deklaratave të Shpresim Ukës.

Ai e ka quajtur atë si shpifës duke thënë se për shkak të këtyre gënjeshtrave kanë vuajtur në burg.

“Ajo që ka deklaruar Shpresim Uka në lidhje me rastin tonë është një shpifje e rëndë dhe e qëllimshme. Është tronditëse dhe e patolerueshme që për shkak të gënjeshtrave të sojit të tij, kemi vuajtur padrejtësisht mbi 100 vite burg, duke paguar një çmim të tmerrshëm për diçka që nuk e kemi bërë”, tha ai.

Kiqina ka shkruar se në në natën kritike të gjithë ishin së bashku.

“Natën kritike kemi qenë të gjithë së bashku dhe asnjëherë nuk jemi ndarë, as për një minutë të vetëm. Fillimisht, të gjithë u akuzuam për vrasje, por pas gjashtë vitesh një pjesë e jona u lirua nga aktakuza dhe u shpall e pafajshme, ndërsa disa nga shokët tanë mbetën fajtorë, #ArbenKiçina#JetonKiçina#ArsimRamadani dhe #BurimRamadani. Kjo ndodh vetëm në Kosovë, ku edhe pse të gjitha deklaratat dëshmojnë se kemi qenë së bashku dhe nuk jemi ndarë për asnjë moment, padrejtësitë vazhdojnë”, deklaroi ai.

Tutje ai ka akuzuar Ukën për raste si vrasje e plaçkitje.

“Njerëz si Shpresim Uka dhe të ngjashmit me të – të cilët kanë qenë të përfshirë në veprime të errëta si vrasje, plaçkitje dhe spiunime – po përpiqen të na njollosin me shpifje dhe gënjeshtra. Ne jemi të përkushtuar që e vërteta e këtij rasti të dalë në dritë dhe të zbardhet plotësisht, që të ndalen padrejtësitë dhe ata që janë dënuar pa faj të marrin drejtësinë që meritojnë. Besojmë se vetëm përmes një procesi të ndershëm dhe transparent, ku faktet flasin vetë, mund të triumfojë drejtësia dhe të vendoset e vërteta njëherë e mirë”, thuhet në reagimin e tij.

Shpresim Uka kishte deklaruar se vëllezërit Ramadani dhe Kiçina janë të dënuar për vrasjen e familjes Hajra me vendimet e gjykatave prej themelores deri te Kushtetuesja.

Ai kishte ngritur dyshime për sjelljet e Faton Ramadanit.

“Në fillim kam dyshuar se rasti është inskenuar, por sjelljet e Faton Ramadanit me kanë ngjallur dyshime, pasi që ky është i gatshëm te fus çdokënd ne burg vetëm që të shpëtojë vëllezërit e tij. Këto deklarata te Fatonit me bëjnë të dyshoje se këta e kanë kryer vrasjen”, kishte deklaruar Shpresim Uka.

Rasti Kiqina – Një kronologji e shkurtër

Më 20 gusht 2001, familja Hajra – Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, djali Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina – u vranë teksa po ktheheshin nga një dasmë në Drenas. Për këtë krim, Burim dhe Arsim Ramadani, si dhe Arben, Jeton dhe Blerim Kiqina, u dënuan me burgime që shkonin deri në 30 vjet. Rasti ka kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi t’ua falë dënimin Arsim dhe Burim Ramadanit, si dhe Arben Kiqinës, duke e rikthyer edhe një herë rastin në qendër të debatit publik.

Shpërndaje në

U Kopjua