PRISHTINË | 26 DHJ 2019 |Nga KosovaLive
Anthony Joshua thotë se ka maksimalisht edhe 15 meçe në karrierën e tij, para se të pensionohet.
Britaniku është kthyer në majë të peshës së rëndë të boksit profesionist, pasi nxori hak ndaj meksikanit Andy Ruiz Jr., duke e mposhtur në dhjetor me vendim unanim pas 12 raundeve, në duelin e vlefshëm për titujt WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë.
Me titujt e botës të kthyer tashmë, tifozët e boksit janë shumë të interesuar të shohin përballjen e Joshuas me kampionin e versionit WBC, Deontay Wilder apo britanikun Tyson Fury.
Por së pari për Joshuan do të jetë mbrojtja e detyrueshme e titujve, ku sipas versionit IBF kundërshtar i detyrueshëm është bullgari Kubrat Pulev, ndërsa sipas versionit WBO, ukrainasi Oleksandr Usyk.
Nëse arrin t’i kalojë këto pengesa, atëherë mundësia për t’u bërë kampion i padiskutueshëm në përballjen ndaj Furyt apo Wilderit, do të hapet vetë.
Por Joshua nuk beson se karriera e tij do të ndalet aty.
Në një intervistë për “Sky Sports”, kur është pyetur se sa luftëra planifikon të zhvillojë deri në fund të karrierës, 30-vjeçari është përgjigjur: “Katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë. Kjo do të më dërgojë në shifrën e 35 apo 40 luftërave në përgjithësi”.
Kjo nënkupton se Joshua me gjasë do të boksojë edhe pesë vjet të tjerë, duke shtyrë karrierën aktive deri në moshën 35-vjeçare.
Boksieri britanik ndoshta duhet të ndjekë edhe një nga titujt që e ka. Ai ka pranuar se mund të detyrohet të heqë dorë nga titulli WBO, nëse vendos të mbrojë titullin IBF ndaj bullgarit Pulev, shkruan “The Sun”, transmeton Koha Ditore. “Unë do të urreja këtë, pasi është aq e vështirë të marrësh gjithë këta breza kampioni, është shumë e vështirë dhe i kam mbajtur ata për shumë vite. Kështu që të liroj titullin për shkak të politikave të boksit është shumë bezdisëse, por ka gjëra që janë jashtë kontrollit tim”, ka shtuar Joshua. “Edhe nëse e humbi një nga brezat, e di se do ta kthej”.
Tifozët e boksit do të jenë shumë të interesuar të shohin Joshuan të luftojë me kampionin e versionit WBC, pasi të kalojë Pulevin.
Amerikani Wilder e ka titullin WBC dhe do ta mbrojë atë në shkurt kundër britanikut Tyson Fury. Përballja e parë e tyre në fund të vitit 2018 kishte përfunduar me një barazim kontrovers.
Joshua në boksin profesionist ka debutuar në tetor të vitit 2013, ndërsa ka bilanc prej 23 fitoreve (21 KO) dhe një humbjeje. Humbjen e befasishme e pësoi në qershor të këtij viti, në meçin e tij të parë në SHBA ndaj meksikanit Ruiz Jr. me nokaut teknik në raundin e shtatë.
Në atë meç, Joshua katër herë ishte rrëzuar nga Ruizi, para se referi ta ndërpriste. Por Joshua nxori hak ndaj Ruizit më 7 dhjetor në Arabi Saudite, duke fituar bindshëm me pikë pas 12 raundeve, ndonëse ajo fitore nuk është pëlqyer nga shumëkush.Koha.Net.