Live

Kabashi-Ramaj: Skandali i mashtrimit me kryeministrin Kurti alarm për sigurinë e Kosovës

17:43 / 26 Mars 2025

Nga Kosova Live

Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Besa Kabashi-Ramaj, e cila njëherësh është anëtare e Kryesisë së PDK-së, ka reaguar pasi Kurti ra pre e mashtrimit nga dy rusë, duke menduar se po bisedonte me presidentin letonez.

Ajo tha se ky skandal është alarm për sigurinë e Kosovës.

“Skandali i Mashtrimit me Kryeministrin Kurti – Alarm për Sigurinë e Kosovës”, ka shkruar Kabashi-Ramaj.

Tutje ajo shtoi se në vend që të forcojë aleancat, Kurti po u jep municion forcave anti-perëndimore duke nxjerrë publikisht narrativë të dëmshme ndaj SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.

“Rrezik për marrëdhëniet me aleatët: Në vend të forcimit të aleancave, Kurti u jep municion forcave anti-perëndimore duke nxjerrë publikisht narrativë të dëmshme ndaj SHBA-së, BE-së dhe NATO-s – në një platformë që rezultoi të jetë… një farsë ruse.,”, u shpreh ajo.

Postimi i plotë: 

Skandali i Mashtrimit me Kryeministrin Kurti – Alarm për Sigurinë e Kosovës

Kryeministri Kurti, është bërë viktimë e një mashtrimi të organizuar nga dy personazhe të njohur rusë – Vovan dhe Lexus – duke menduar se po zhvillonte një bisedë zyrtare me Presidentin e Letonisë. Ky incident paraqet një skandal serioz të sigurisë kombëtare dhe dështim të thellë institucional.

Pikat kyçe të dështimit dhe rrezikut:

Shkelje flagrante e protokolleve të sigurisë shtetërore: Kryeministri zhvillon bisedë me një “zyrtar të huaj” pa ndjekur asnjë procedurë verifikimi të identitetit dhe pa përfshirjen e institucioneve përgjegjëse për siguri dhe protokoll shtetëror.

Dështim i zyrës së Kryeministrit dhe stafit të tij: Një komunikim i tillë ndodh pa përgatitje, pa verifikim dhe pa përfshirje të Ministrisë së Jashtme, AKI-së apo Këshillit të Sigurisë Kombëtare – një dështim total i kontrollit institucional.

Ekspozim i informacioneve sensitive: Kryeministri, në një bisedë të paautorizuar, shpërndan opinione dhe informacione që mund të shfrytëzohen kundër interesave shtetërore dhe partnereve ndërkombëtarë.

Cenim i integritetit dhe imazhit të shtetit: Pamundësia për të dalluar një mashtrim nga një komunikim diplomatik e bën Kosovën të duket si një shtet me protokolle të dobëta dhe i paqëndrueshëm.

Sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës, qytetarëve dhe bizneseve vendore: Në vend se të promovojë unitetin dhe interesin kombëtar, Kurti përdor një platformë që mendon se është ndërkombëtare për të denigruar shtetin që ai drejton, opozitën, për të përçmuar bizneset kosovare dhe për të kritikuar partnerët strategjikë.

Rrezik për marrëdhëniet me aleatët: Në vend të forcimit të aleancave, Kurti u jep municion forcave anti-perëndimore duke nxjerrë publikisht narrativë të dëmshme ndaj SHBA-së, BE-së dhe NATO-s – në një platformë që rezultoi të jetë… një farsë ruse.

Ky nuk është thjesht një incident mediatik – është një dështim i rrezikshëm i menaxhimit të sigurisë dhe diplomacisë në nivelin më të lartë të shtetit. Prandaj, duhet të kërkohet përgjegjësi e menjëhershme politike dhe institucionale.

Shpërndaje në

U Kopjua