Personi i dyshuar për grabitjen e ndodhur para disa muajsh në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë ka rënë mbrëmë në prangat e Policisë. I dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rastin e ka konfirmuar tashmë edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
Siç merr vesh Klankosova.tv rasti lidhet me grabitjen e një shtetasi turk, rast ky që kishte ndodhur pasditen e 15 nëntorit 2024.
30-vjeçari i prangosur mbrëmë kishte arritur që ta plaçkit viktimën B.K., (emër i njohur për redaksinë) bashkë me një person tjetër.
Të njëjtit kishin dalë nga një veturë, e kanë ndalur viktimën dhe ia kanë marrë një çantë me rreth 15 kartela bankare, dokumentet personale të lëshuara nga shteti turk dhe mbi 400 euro para të gatshme, raporton Klankosova.tv.
Rasti ishte denoncuar dhe si rezultat, Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin.