Live

Keqpërdorimet me vota, Xhafer Tahiri reagon: S’kam lidhje me këto akuza

20:33 / 06 Mars 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar për rinumërimin e votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në të gjitha vendvotimet në Vushtrri. Ky vendim erdhi pas akuzave të kandidates për deputete, Rrezarta Krasniqi, ndaj bashkëpartiakut të saj, Xhafer Tahiri.

Në lidhje me këtë çështje, Xhafer Tahiri ka reaguar duke thënë se ai është i gatshëm për hetimin e prokurorisë dhe ka shpallur se drejtësia do të triumfojë.

Ai ka shprehur se nuk ka asnjë lidhje me akuzat që përmendin emrin e tij, dhe se do të vërtetohet e vërteta përmes procesit të drejtësisë.

“Lidhur me lajmet që përmendin emrin tim, unë e përsërisë, nuk kam të bëjë me to dhe nuk ka asgjë të vertetë në to. Këtë do ta vërtetoj drejtësia me kohë. Sipas ligjit të KQZ, në cdo tavolinë numërimi kanë qenë 4-5 komisioner të KQZ e vëzhgues të çdo partie politike. Krejt komisionerët bashkë sipas rregullave të KQZ i kanë nënshkruar formularët e numërimit të votave. E krejt procesi ka qenë në vëzhgim të kamerave”, shkroi ai në Facebook.

Tahiri ka shtuar se procesi i numërimit të votave ka qenë në mbikëqyrjen e komisionerëve të KQZ-së dhe vëzhguesve të partive politike, ndërkohë që ka përgënjeshtruar çdo aludim për manipulatorë politikë.

“Pra durim, e vërteta gjithmonë triumfon”.

Ai gjithashtu ka shtuar se LDK në Vushtrri ka arritur një rritje prej mbi 1400 votash, duke e cilësuar këtë si një hap në rrugën e duhur për rikthimin e partisë, pavarësisht se votat nuk ishin të mjaftueshme për fitore.

Shpërndaje në

U Kopjua