Inspektorati policor ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve policorë në Mitrovicën e Jugut nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Veriu.info mëson se njëri nga zyrtarët policor që ka keqtrajtuar qytetarin në fjalë është Florim Ahmeti, i cili për shkak të problemeve të natyrës personale ka keqtrajtuar një qytetar.
Siç thuhet edhe në komunikatë zyrtarët policorë kanë ndaluar veturën jashtë detyrës zyrtare por me uniformë dhe me veturë private, derisa qytetari i arrestuar dhe keqtrajtuar nuk ka qenë shofer i veturës, por pasagjer i ulur në pjesën e prapme të veturës.

Veriu.info mëson se zyrtari policor ka qenë me uniformë edhe dy orë pas orarit të punës dhe për arsye të problemeve personale ka ndaluar veturën dhe ka keqtrajtuar qytetarin pasagjer.
Komunikata e plotë e IPK:
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tre zyrtarë policorë në Mitrovicën e Jugut.
Informacionet e para për këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës ku dyshohet se tre zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Jugu në Mitrovicë janë përfshirë në një rast si të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në Mitrovicë pas mesnatës së datës 2 mars 2025 kur zyrtarët e dyshuar (jashtë detyrës zyrtare por me uniformë) me veturë private kishin ndaluar një automjet me arsyetimin për një kundërvajtje afër sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë duke arrestuar dhe pas kësaj kishin njoftuar një njësi policore në detyrë dhe kishin shoqëruar në stacion policor njërin nga pasagjerët e veturës së ndaluar.
Bazuar në hetimet fillestare, hetuesit e IPK-së dyshojnë se njëri nga zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast ka pasur probleme të natyrës personale me qytetarin e arrestuar.
Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast.