Live

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane bën thirrje: Të formohet sa më shpejt Qeveria, prania e Kosovës në Uashington është zvogëluar

15:48 / 24 Mars 2025

Nga Kosova Live

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, me t’u certifikuar zgjedhjet e 9 shkurtit nga ana e KQZ-së, kërkon nga partitë politike formimin e menjëhershëm të qeverisë së re, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i plotë i institucioneve të Republikës së Kosovës.

AARC thotë se krijimi në kohë i institucioneve të reja do të riafirmonte kapacitetet shtetëformuese dhe pjekurinë politike të Kosovës, duke përçuar një sinjal të fuqishëm mbarëkombëtar dhe tek faktori ndërkombëtar.

“Duke qenë se mjedisi global politik po evoluon me shpejtësi, është me rëndësi parësore, që institucionet e Kosovës, të jenë plotësisht të konsoliduara dhe të përgatitura për të adresuar sfidat e menjëhershme dhe afatgjate”, thuhet tutje në reagimin e Këshillit.

Ky këshill thekson mes tjerash se qeveria e re duhet të marrë një qasje proaktive për avancimin e pozitës së Kosovës, shkruan Klankosova.tv.

“Kjo, duke përfshirë të gjitha përpjekjet e arsyeshme në drejtim të heqjes së masave ndëshkuese të BE-së dhe paraqitjen e një plani strategjik të qartë para Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të inkurajuar investime të e vazhdueshme ekonomike dhe politike në Kosovë”.

“Duke qenë se Shtetet e Bashkuara mbetet aleati më i afërt dhe më vital i Kosovës, qeveria e re duhet gjithashtu, të ketë prioritet forcimin e pranisë dhe ndikimin sajë në Uashington, D.C. Kjo kërkon zgjerimin e përfaqësimit diplomatik të Kosovës, angazhimin e organizatave lobuese të nivelit të lartë, si dhe sigurimin e takimeve të rregullta të nivelit të lartë, me administratën e re të SHBA-së. Prania e Kosovës në Uashington është zvogëluar dukshëm gjatë viteve të fundit, ndërkohë që një përpjekje e koordinuar për të rikthyer dukshmërinë dhe rëndësinë e saj në agjendën e SHBA-së, është më shumë se e nevojshme”, thuhet tutje në reagim.

Shpërndaje në

U Kopjua