Kina tha se ka emëruar një të dërguar të ri për tregti, teksa ekonomia e dytë më e madhe në botë përballet me tarifat e larta që presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi ndaj importeve, duke tronditur tregjet globale.
Li Chenggang ka marr rolin e të dërguarit për negociata ndërkombëtare tregtare. Ai po ashtu është emëruar zëvendësministër për Tregti, bëri të ditur Ministria kineze për Burime njerëzore më 16 prill.
Li, 58 vjeç, më herët ka shërbyer si ambasador i Pekinit në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe si zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.
Për dekada të tëra ai ka mbajtur poste të ndryshme në Ministrinë e Tregtisë dhe është i diplomuar për drejtësi në Universitetin Peking të Kinës dhe Universitetin e Hamburgut të Gjermanisë.
Ministria tha se në këtë post Li do ta zëvendësojë Wang Shouwenin.
Wang kishte qenë pjesë e bisedimeve që çuan në marrëveshjen tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara më 2020.
Pekini dhe Uashingtoni janë përplasur që kur Trump vendosi tarifa ndaj shteteve të botës dhe veçmas duke shënjestruar me tarifa të larta importet kineze.
Të dyja shtetet u janë kundërpërgjigjur njëra-tjetrës me tarifa, duke bërë që tarifat amerikane ndaj importeve të Kinës të arrijnë në 145 për qind, ndërkaq ato kineze ndaj mallrave amerikane në 125 për qind, raporton REL.
Kina tha të mërkurën se ekonomia e saj është rritur për 5.4 për qind në tremujorin e parë të vitit, duke tejkaluar pritjet. Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se tarifat amerikane po ushtrojnë “presion” ndaj ekonomisë së Pekinit.