Avokati Arianit Koci nuk është pajtuar me vendimin e gjyqtarit të çështjes paraprake për ta lënë në arrest shtëpiak kryeinspektorin e punës, Hekuran Nikçi.
Koci e ka cilësuar precedent të rrezikshëm vendimin e sotshëm ndaj Nikçit, teksa ka listuar një mori shkeljesh procedurale në rastin e klientit të tij.
Avokati ka bërë të ditur që brenda afatit të paraparë ligjor do të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi.
“Ky vendim nuk e adreson në tërësi padrejtësinë e procedurës ndaj tij, pasi ai po ndiqet për një çështje administrative, ku palë janë Ministria e Financave dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Hetimi ka filluar para vetëm 20 ditësh, por mënyra e ngutshme dhe e paarsyeshme e ndalimit të tij ka sjellë një sërë lëshimesh serioze nga ana e Prokurorisë. Në ditën e ndalimit, Kryeinspektori ka qenë nën mbikëqyrjen e Policisë, nuk është lejuar të marrë pjesë në një takim zyrtar të caktuar më herët dhe i është ndaluar përdorimi i telefonit. Sipas deklarimeve të tij, liria e lëvizjes i është kufizuar që nga ora 09:00, ndërkohë që në dokumentacionin zyrtar figuron se ai është ndaluar në ora 10:30.
Mbetet e paqartë me çfarë vendimi është justifikuar kufizimi i paligjshëm i lirisë së tij për 1 orë e 30 minuta? Gjithashtu, në kërkesën për paraburgim, vetë Prokuroria ka pohuar se palës së dëmtuar nuk i është mundësuar ankesa, për shkak se në vendimin administrativ nuk ishte i paraparë mjeti juridik. Një lëshim i tillë është përgjegjësi e sektorit juridik të institucionit përkatës, dhe jo e Kryeinspektorit. Për më tepër, pala e dëmtuar tashmë ka ushtruar ankesën, çka e bën tërësisht të pabazë pretendimin e Prokurorisë për dëmtim procedural. Në praktikën gjyqësore në Kosovë, ka pasur shumë raste me lëshime të ngjashme dhe asnjëherë nuk është aplikuar një trajtim kaq ekstrem. Kjo ngre një pikëpyetje serioze: pse Prokuroria ka vepruar me kaq ngut dhe me një qasje kaq të ashpër në një rast që qartazi ka karakter administrativ? Për lëshimet tjera procedurale që kanë ndodhur në këtë rast, do të ushtroj ankesë në afatin e paraparë ligjor. Ky nuk është thjesht një rast individual – është një precedent i rrezikshëm që cenon të drejtat procedurale dhe sigurinë juridike. Një qasje e tillë nuk duhet të tolerohet!”, thuhet në deklaratën e Kocit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj Nikçit, ani pse Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg.
Nikçi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai është ndaluar të enjten nga Policia e Kosovës.