Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në nderim të viktimave të masakrës së Lybeniqit të Pejës, ku këtu forcat serbe kanë vrarë e masakruar mbi 800 civilë shqiptarë.
Ai tha se këto janë pjesë e shumë masakrave që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilat sipas tij, e shprehin qëllimin gjeonocidal të Serbisë për shfarosjen e popullit, largimin e tij dhe spastrimin e Kosovës nga shqiptarët.
“Ne nuk do të lodhemi asnjëherë duke bërë thirrje për drejtësi nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për drejtësinë vendore, sepse tash janë të mundshme të gjitha kushtet për hetime më profesionale dhe gjykime në mungesë, për të gjithë kriminelët serbë, për të gjithë ata mijëra ushtarë, oficerë të ushtrisë, policisë e paramilitarë, të cilët kanë marrë pjesë në këtë fushatë gjenocidale kundër popullit të Kosovës në vitet 1998-1999”, tha Konjufca.
Tutje, Konjufca shtoi se i mundon fakti që edhe 26 vjet pas masakrës së Lybeniqit, nuk ka asnjë proces të rëndësishëm ndërkombëtar të gjyqësisë e të drejtësisë.
“Na mundon shumë fakti që edhe 26 vjet pas kësaj masakre, shtoi kryetari Konjufca, nuk kishte asnjë proces të rëndësishëm ndërkombëtar të gjyqësisë e të drejtësisë, i cili u nevojitet familjeve dhe gjithë popullit tonë, sepse, siç tha kryetari i Kuvendit, pa drejtësi këto janë gjithmonë plagë të hapura në trupin e popullit tonë”.