Live

Kosova e shqetësuar nga kërcënimet serbe dhe ruse

10:44 / 07 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Autoritet në Kosovë janë shprehur të shqetësuara lidhur me zhvillimet fundit në rajon, kur Rusia e ka pajisur me armë të reja Serbinë si dhe ka kërkuar të ndërtoj një bazë ushtarake në pjesën serbe të Bosnjës.

Po ashtu, autoritet kosovare u shprehën të shqetësuara edhe me kërcënimet dhe me retorikën nacionaliste të zyrtarëve serbë, si ajo e gjeneralit Milan Mojsiloviq, i cili tha se Serbia e ka mbështetjen ruse sa i përket çështjes së  Kosovës.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se “komandanti i ri i ushtrisë së vjetër famëkeqe të Serbisë, Milan Mojsiloviq, paska deklaruar se kanë përkrahjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë. Ia kujtojmë atij se edhe Slobodan Millosheviç mendonte njësoj, por i doli keq. Ata duhet t’i ndalin këto provokime”, shkroi ai.

Zyrtarët të ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës thonë se kohëve të fundit janë thelluar provokimet dhe mesazhet kërcënuese të shtetit serb ndaj Kosovës.


Zëvendësministri i Mbrojtjes në dorëheqje, Burim Ramadani, tha për Zërin e Amerikës se këto mesazhe janë kërcënuese edhe për Ballkanin në tërësi.

“Normalisht se janë mesazhe kërcënuese që jo vetëm shtetet në Ballkan por edhe partnerët ndërkombëtar NATO duhet t’i marrin seriozisht dhe në të njëjtën kohë t’i shohin se fatkeqësisht mentaliteti, logjika dhe mënyra e të menduarit në Serbi nuk ka ndryshuar, përkundrazi vetëm është vendosur në një orientim më të mbrapshtë ka Rusia”, tha Ramadani.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit. Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO ndërsa viteve të fundit ka furnizuar me armatime Serbinë, gjë që ka shtuar edhe shqetësimet e vendeve të rajonit por edhe reagimet ndërkombëtare.

Zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson tha për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe se një vend që synon anëtarësimin në Bashkim Evropian nuk duhet të marrë armë nga Moska.

“Rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian është përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, e jo përmes armëve ruse, jo përmes armëve nga Moska. Për sa kohë që Kosova është një çështje e hapur, ne do të shohim përpjekjet ruse, do të shohim lojëra serbe, të gjitha ato vendime kundërthënëse”, tha zoti Wilson duke nënvizuar se vendimet e tanishme mund të jenë të dëmshme për qëllimet e Serbisë.

Javën e kaluar, Serbia mori tanke dhe mjete të blinduara si dhuratë nga Rusia, e cila e ka ndihmuar Serbinë të modernizojë forcat e saj të armatosura.

Serbia ka marrë tashmë 6 aeroplanë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe ndonëse pretendon të jetë ushtarakisht neutrale, po negocion blerje të tjera armësh nga Moska, përfshirë helikopterë luftarakë dhe transportues të blinduar dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...