Në bursën botërore të tregtimit të derivateve, 1 litër naftë po tregtohet me 0.39 dollarë, përkatësisht 0.35 euro. Importuesit e derivateve në Kosovë, kësaj shifre prej 0.35 eurosh duhet t’ia shtojnë edhe akcizën prej 0.35 centësh për litër, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që është 18 për qind, si dhe koston e transportit.
Bazuar në këtë përllogaritje, dhe duke marrë parasysh edhe vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për çmimin tavan, nafta në tregun e Kosovës do të duhej të kushtonte pak më shumë se 1 euro, eventualisht rreth 1 euro e 5 cent.
Megjithatë, sot (10 prill), derivatet në Kosovë po shiten me çmime më të larta: nafta nga 1 euro e 18 cent për litër deri në 1 euro e 28 cent, ndërsa benzina nga 1 euro e 19 cent deri në 1 euro e 29 cent për litër.
Këto çmime janë prezantuar nga kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili në një prononcim për Periskopin ka deklaruar se çmimet në Kosovë janë ndër më të ulëtat në rajon.
“Këto çmime më të lira nuk i kemi pasur që tri vite, përkatësisht prej pandemisë”, ka thënë Berjani për Periskopin.
Ai shpreson se si pasojë e tarifave të vendosura nga presidenti amerikan, çmimi i naftës në Kosovë mund të ulet deri në 1 euro për litër, duke theksuar se ky ndikim tashmë ka filluar të reflektohet edhe në Kosovë.
“Me tarifat e Trumpit dhe rënien e derivateve në bursë, ka gjasa që në Kosovë 1 litër dizel të kushtojë 1 euro”, ka deklaruar ai.
Berjani ka përmendur edhe çmimet e derivateve në Shqipëri.
“Në Shqipëri çmimet e derivateve janë: dizeli 1.89 euro dhe benzina 1.88 euro për litër”, ka theksuar ai.
Kurse, sipas tij, në Serbi diezeli 1.78. cent dhe benzina 1.79 euro për litër.
Sipas të dhënave zyrtare në Maqedoninë e Veriut, sot një litër naftë me pakicë kushton 1 euro e 8 cent, ndërsa benzina 1 euro e 24 cent.
Berjani ka shtuar se vendimi i Ministrisë së Tregtisë për marzhën e çmimit është marrë në një kohë të papërshtatshme, megjithatë, siç theksoi ai, do të respektohet.
“Vendimet gjithmonë i kemi respektuar. Vendimi për marzhën është marrë në kohë të gabuar, pasi kemi lëvizje globale të çmimeve të derivateve të naftës. Ky vendim dëmton bizneset. Kompanitë e mëdha mund ta përballojnë, por kompanitë e mesme dhe të vogla rrezikojnë të falimentojnë”, ka thene Berjani.
Ai kërkuar nga ministria që të nxjerrë vendime për uljen e çmimit të shportës së qytetarit.
“MINT duhet të nxjerrë vendime për shporten e qytetarit se nafta ka qenë gjithëherë më e lira në regjion. A shporta e qytetarit më e shtrenjt në Kosovë se në Gjermani. Por, nuk janë marrë masa deri më tani. Po, nafta ka rënë pse nuk merren vendimet për shporten e qytetarit”, ka thënë Berjani.