Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me faktin që nuk shkoi për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale.
Në postimin e tyre në Facebook, thuhet se ligji nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve e nevojave ditore.
“KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, shkruhet mes tjerash në postim.
Njoftimi:
KPK dhe ZKPSh: Inkurajojmë dhe mbështesim Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj për të fuqizuar rendin dhe ligjin në vendin tonë
Prishtinë, 4 shkurt 2025
Me rastin e deklaratave të sotme publike, të dhëna nga Kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, përkitazi me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër për paraqitjen e tij në prokurori, Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit.
KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e Kryeministrit Kurti, KPK dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë.