Live

KQZ-ja u dërgon letër partive politike, kërkon dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë

11:19 / 27 Mars 2025

Nga Kosova Live

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), këtë të enjte pritet të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Para certifikimit, KQZ-ja i ka dërguar një letër partive politike, duke i informuar për detyrimet ligjore që lidhen me dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë aktuale që janë zgjedhur deputetë në legjislaturën e re.

Sipas letrës nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, neni 26 i Ligjit për qeverinë e Republikës së Kosovës kërkon që anëtarët e qeverisë që janë zgjedhur deputetë të japin dorëheqje nga posti i anëtarit të qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Në letër theksohet se më 26 mars 2025, KQZ-ja ka pranuar vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me ankesat ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të cilat kishin të bënin me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Po ashtu, është konfirmuar se nuk ka ankesa të tjera që presin vendimmarrje.

Në përputhje me Ligjin për Qeverinë e Kosovës, KQZ-ja ka njoftuar se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, do të bëhet më 27 mars, në orën 16:00.

Kryetari i KQZ-së, Radoniqi, ka apeluar te partitë politike që të respektojnë ligjin dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë që janë zgjedhur deputetë, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i rregullt i institucioneve të Kosovës.

Nga qeveria aktuale, përveç kryeministrit Albin Kurti, janë zgjedhur deputetë edhe disa ministra dhe zëvendësministra, si: Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Donika Gërvalla-Schwarz, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Rozeta Hajdari, Fikrim Damka, Nenad Rashiq, Elbert Krasniqi dhe Emilja Rexhepi.

Shpërndaje në

U Kopjua