Teksa po mundohen t’i harmonizojnë programet e tyre qeverisëse dy partitë që dolën më të votuarat në zgjedhjet e 6 tetorit, LVV-ja dhe LDK-ja, kanë nisur thumbimet ndaj njëra-tjetrës, raporton Ekonomia Online.
Ishte nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ai e cili e filloi “luftën” duke thënë se emri i kryeministrit të ri gjithsesi do të kalojë përmes LDK-së.
Analistët po vlerësojnë se me deklarata të tilla LDK-ja po mundohet t’ia tregojë “muskujt” Vetëvendosjes pak para arritjes së koalicionit.
Profesori universitar Milazim Krasniqi po i sheh këto si taktika të dy këtyre subjekteve politike për të shtuar ndikimin dhe pozicionin në negociata.
Krasniqi në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se këto dy parti ende nuk janë unifikuar dhe për këtë arsye nuk mund të bëhet fjalë për përçarje.
“Unë nuk mund të them që ka përçarje, sepse ata së pari nuk kanë një unitet që të flitet për përçarje, sepse ata janë në një fazë të negociatave për formimin e qeverisë dhe institucioneve. Besoj që këto që po i shohim janë më shumë taktika të cilat përdoren për ta maksimalizua pozicionin në negociata, normalisht që në këtë fazë është vërejt një mungesë e përvojës së Vetëvendosjes sepse ata kanë shfaq shumë nervoz dhe kanë shfaq frustrime të panevojshme dhe bizare dhe nuk mund të kërkosh bashkëqeverisje dhe në të njëjtë kohë t’i fyesh liderët e saj siç kanë bërë këto ditë aktivistët e vetëvendosjes”, thotë ai.
Krasniqi thotë se LDK-ja është një parti me përvojë shumë të madhe dhe në këtë rast po përdor taktika për të shtuar ndikimin e saj.
“LDK-ja është parti me përvojë të gjatë dhe ata dinë të përdorin taktika, Në fillim e kanë lanë mundësinë të arrihet koalicioni pastaj në fund kanë filluar të fusin elemente të tjera dhe këto janë faza krejt normale. Ata që kërkojnë nga zyrtarët e LDK-së që të punojnë për VV-në ata me të vërtetë duken si idiotë sepse LDK-ja përpjekjen e bënë që ta maksimalizojë interesin e vet dhe në koalicionin e ardhshëm dhe zyrtarët e saj normalisht bëjnë politikën e saj dhe jo të VV-së”, thotë ai.
Profesori Krasniqi thotë se këto dy parti e kanë mendësinë ideale për të formuar institucionet e reja, pasi që partitë tjera nuk janë të interesuara të iu bashkëngjiten, e as të pengojnë punën e tyre.
Një kujdes thotë se duhet ta kenë me Lsitën Serbe.
“VV-ja dhe LDK-ja e kanë mundësinë që t’i formojnë institucionet pa ndonjë problem. PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur se janë në opozitë dhe nuk janë pjesë e asnjë loje politike dhe këto e kanë rrugën hapur por problemin më të madh e kanë se si do të akumulojnë Listën Serbe”, thotë Krasniqi.