Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me anëtarë të partisë kanë bërë homazhe në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai shkruan se 27 vite më parë, një familje e tërë nuk u përkul, e qëndroi e pathyeshme, pasi “ata e dinin se liria fitohet me gjak dhe sakrificë”.
“Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Postimi i plotë:
Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë! 🌹
27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi!
Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!
Sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!
Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.
Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi!
Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari!
Lavdi familjes heroike Jashari!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!