Qeveria i ka rekomanduar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ta shtojë blloktarifën për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë për orë në muaj e që të mos ndikohen nga shtrenjtimi i paralajmëruar i rrymës, ata që shpenzojnë më pak. Por, ekzekutivi nuk është pozicionuar kundër shtrenjtimit. E në nismën “Asnjë Cent, Më Shumë”, e kritikuan Qeverinë për qëndrimin në raport me shtrenjtimin e energjisë
Shtimin e blloktarifave për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë për orë energji elektrike në muaj e ka propozuar Qeveria në detyrë, në komentet që ia përcolli Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rreth shqyrtimit të tarifave.
Për propozimin e ZRRE-së që çmimi i rrymës të shtrenjtohet për 15 për qind nga 1 prilli, Ministria e Ekonomisë vlerësoi se nga rritja nuk duhet të preken amvisëritë, shkruan Koha.net.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh”, ka bërë të ditur Ministria.
Sipas Ministrisë, janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren veprime “për të kufizuar ndikimin në tarifa të konsumatorëve”. Këtu ka listuar mosshtrenjtimin e energjisë që shitet nga KEK-u, si dhe faktin që në periudhën 2022-2024 ka pasur ulje të importit, e se edhe konsumi i amvisërisë është stabilizuar “për shkak të vendosjes së blloktarifës në tre vjetët e fundit”.
“Të dhënat e disagreguara tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit gjatë dimrit vjen nga një përqindje e vogël e konsumatorëve. Për shembull, në nëntor 2024, 12% e amvisërive (me konsum mbi 1000 kWh) kanë konsumuar 39% të energjisë elektrike të gjithmbarshme; ose, në janar 2025, 9% e konsumatorëve (me konsum mbi 2000 kWh) kanë konsumuar 29% të energjisë së gjithmbarshme elektrike, dhe më shumë se të gjithë konsumatorët që kanë shpenzuar nën 800 kWh së bashku (sipas të dhënave nga furnizuesi)”, thuhet në një nga trendët e përmendur nga Ministria.
Sipas Ministrisë, është rritur dukshëm shpenzimi i energjisë nga bizneset.
Por propozimin e ministrisë, Ali Sefaj nga nisma qytetare “Asnjë Cent Më Shumë”, e kualifikoi lojë fjalësh, pasi, siç tha, edhe nëse blloktarifa zbatohet, qytetarët do të preken nga shtrenjtimi në mënyrë indirekte.
“Duke dashur që të luaj një lojë nga koncepti i majtë, që ne do të interferojmë që të ruhen kategoritë që janë më të ndjeshme, duke ua bartur këtë faturë kategorive që shpenzojnë më shumë, e veçmas bizneseve, kjo i bie sikur t’i thuash dikujt ‘ti ke me pagu rrymën më lirë, nuk do të ngrihet fatura jote e rrymës, por shtrenjtimin që ka me ndodhë me rritjen e tarifave ti do ta paguash kur të blesh vaj, sheqer, apo cilën do shërbim tjetër’”, ka thënë Sefaj.
Një ditë më parë është mbyllur afati për dorëzimin e komenteve në ZRRE për procesin e shqyrtimit të tarifave. Komente kundër shtrenjtimit përcolli edhe Presidenca, duke propozuar heqjen e TVSH-së dhe subvencionimin e mundshëm nga Qeveria për kategoritë e prekura.
E organizata joqeveritare INDEP shprehu shqetësimin për mospublikim të propozimit konkret nga ZRRE-ja mbi strukturën tarifore.
“Mungesa e një propozimi të tillë e bën pothuajse të pamundur pjesëmarrjen e informuar të qytetarëve, konsumatorëve dhe shoqërisë civile në këtë proces konsultativ, gjë që bie ndesh me obligimet ligjore që ZRRE-ja ka për transparencë dhe pjesëmarrje aktive publike”, është reagimi që ka bërë INDEP.
Në adresë të ZRRE-së, komente dërguan edhe rreth 600 konsumatorë.
Vendimi për tarifat e reja pritet të merret para 15 prillit, porse efekti i tyre do të jetë retroaktiv dhe do të llogaritet nga 1 prilli.
E, Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se investimet që pritet të bëhen në KEK, do të kenë si pasojë ndaljen disamujore të blloqeve të Kosovës B, gjatë viteve 2025-2027.
“Investimet në TC Kosova B janë të domosdoshme për të parandaluar ndërprerje serioze në furnizim. Kontributi juaj sot siguron zgjatje të jetëgjatësisë së termocentralit për 20 vjet, prodhim të rregullt dhe ulje të ndjeshme të ndotjes së ajrit dhe varësisë nga importet e shtrenjta. Investimet rrisin kapacitetin e termocentralit për 80 MW dhe prodhimin vjetor për 600 GW, duke ulur importin për së paku 23 milionë euro në vit dhe duke rritur eksportin për së paku 20 milionë euro në vit”, thuhet në komentet e ministrisë.
Sipas Ministrisë, kufizimi i nevojës për import të energjisë elektrike përmes rritjes së efiçiencës dhe uljes së konsumit janë thelbësore që këtë periudhë vendi ta kalojë me sa më pak ndikim.
Qeveria është zotuar se në vitet e ardhshme do të investojë në ndërtim të kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe dielli, bateri për ruajtje të energjisë, zgjerim të rrjetit dhe rritje të kapacitetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, dhe në afat të mesëm ndërtimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore në qytete të tjera.