Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, në konferencën e përbashkët për media me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Dacic, në Beograd tha se vendi i tij është i gatshëm që të ndihmojë në dialogun mes Beogradit e Prishtinës por theksoi se për këtë është e rëndësishme vullneti i mirë nga dyja palët.
Ministri finlandez Haavisto theksoi se taksa e madhe e vendosur nga Prishtina për mallrat e Serbisë është e papranueshme. Megjithatë, ai shtoi se edhe lobimi i Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ndikon negativisht në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
“Prishtinën e porosita se taksat e vendosura ndaj mallrave serbe janë të papranueshme , e juve ju them se lobimi për tërheqjen e njohjeve ka ndikim negativ në vazhdimin e dialogut”.
Haavisto shtoi se shpreson se dialogu do të vazhdojë së shpejti dhe se beson se BE’ja do të ndihmojë për këtë. Ai e theksoi se Finlanda e mbështetë zgjerimin e BE’së dhe konsideron se ai proces duhet të vazhdohet, dhe shpreson se gjatë kryesimit të Finlandës në BE do të ketë përparim edhe në afrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, që siç shtoi, varen nga shumë faktorë.