Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, së bashku me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vizituan Korporatën “Devolli Group”, një nga kompanitë anëtare të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe një nga shembujt më të suksesshëm të sektorit prodhues në vend.
Delegacioni u prit nga aksionari i “Devolli Group”, Blerim Devolli, me të cilin u diskutua rreth mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik, forcimit të kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimit të eksportit, si dhe sfidave aktuale të klimës së biznesit në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e mbështetjes së ndërmarrjeve vendore dhe roli kyç që luajnë kompanitë si “Devolli Group” në zhvillimin e industrisë kombëtare dhe promovimin e produkteve “Made in Kosovo” në tregjet ndërkombëtare.
Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e ekonomisë vendore, Lidhja e Bizneseve të Kosovës i akordoi Korporatës “Devolli Group”, një mirënjohje të veçantë.
“Përmes vizionit strategjik, inovacionit të qëndrueshëm dhe përkushtimit ndaj standardeve më të larta, “Devolli Group” është shndërruar në një ndërmarrje model, duke ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese. Nëpërmjet cilësisë së lartë të produkteve të saj, kjo korporatë ka afirmuar me dinjitet Republikën e Kosovës në tregjet evropiane dhe më gjerë, duke forcuar identitetin ekonomik kombëtar. Kosova ka nevojë për shembuj të tillë suksesi për ta fuqizuar rrugën e saj drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike”, ka thënë LBK në njoftimin për media.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj të plotë për “Devolli Group” në rrugëtimin e tyre të suksesshëm drejt zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të vendit. /Klankosova.tv

