Live

Kurti dënon fuqishëm sulmin në Zveçan

11:19 / 01 Prill 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka dënuar fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës  në Zveçan.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, shefi i qeverisë thotë se ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste. Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka shkruar ai.

Më tej, Kurti thotë se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.

“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët. Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua