Live

Kurti dënon sulmin ndaj U.D të drejtorit të QKUK-së

16:35 / 01 Maj 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka dënuar ashpër sulmin ndaj U.D. të drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, i cili ndodhi gjatë ditës së djeshme.

Nëpërmjet një postimi, Kurti u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe kryesit e këtij akti kriminal të sillen para përgjegjësisë, raporton Klankosova.tv.

“Në çdo institucion publik kemi ndërmarrë reforma të thella që në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik e shërbime më të mira për qytetarët. Këto reforma kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona”, shkruan Kurti në Facebook.

“Por, akte të tilla jo vetëm që nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më këmbëngulës në punët e mira që po bëjmë”.

Më poshtë postimi i plotë:

Se krimi i organizuar dhe aksionet me elemente terroriste nuk i trembin drejtorët tanë e dëshmon deklarata publike e djeshme e z. Osman Hajdari, U.D. i Drejtorit të QKUK-së.

Bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia e takuam sot atë si dhe Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi.

E dënoj ashpër sulmin ndaj drejtorit Hajdari dhe i bëj thirrje organeve të rendit e të drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe kryesit e këtij akti kriminal të sillen para përgjegjësisë.

Në çdo institucion publik kemi ndërmarrë reforma të thella që në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik e shërbime më të mira për qytetarët. Këto reforma kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona.

Por, akte të tilla jo vetëm që nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më këmbëngulës në punët e mira që po bëjmë.

Shpërndaje në

U Kopjua