Derisa qytetarët janë mobilizuar që ta kundërshtojnë shtrenjtimin e rrymës, kryeministri në detyrë Albin Kurti ende e ka merakun se sa komuna ka fituar. Kurti sot doli me postim në llogarinë e tij në Facebook duke korrigjuar hartën se si qëndron Vetëvendosje me komunat e Kosovës.
“Ju kërkoj falje për këtë lëshim. Sipas përditësimeve, LVV ka fituar në 22 komuna, PDK në dy, LDK në një, AAK me Nismën Socialdemokrate në dy, KDTP në një, ndërsa LS në 10, gjashtë prej të cilave janë komuna të Ahtisaarit”, shkroi Kurti mes tjerash.
Ndërkohë ky reagim i Kurtit u kritikua nga opinionisti Shenoll Muharremi.
Muharremi ia kujtoi Kurtin faktin që rryma në Kosovë po pritet të rritet për herën e tretë.
“Harrojeni për një moment votën për vete dhe interesin personal. Fokusohuni tek problemet e publikut dhe qytetarit, bizneseve dhe ekonomisë. Çka ka lidhje sa komuna i fiton kur e fut kokën nën dhe e nuk e flet një fjalë për telashet dhe hallet e popullit. Koncentrohuni me e zgjidh krizën e faturave dhe çmimin e rrymës. Qajo është detyra juaj”, shkroi Muharremi.
Kujtojmë se derisa Presidenca ka dalur kundër shtrenjtimit të rrymës, ndërsa në anën tjetër Qeveria i ka thënë “PO” shtrenjtimit të rrymës, por të ulet më pak se 15%.