Kuvendi i Kosovës sot e ka hapur sesionin vjeshtor të punimeve. Në këtë seancë ka munguar kryeministri Albin Kurti. Në këtë mënyrë shefi i qeverisë ka vazhduar afazin e vjetër të injorimit të Kuvendit.
Mungesa e tij ka bërë që dhjetëra pyetje të deputetëve të besim pa përgjigje.
Shmangia nga seancat parlamentare e kryeministrit po konsiderohet si ikje nga përgjegjësia.
Deputetët dhe monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës kanë vlerësuar se këto veprime flasin për arrogancën e kryeministrit ndaj institucionit që e ka zgjedhur atë.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për veprime të tilla.
Ai ka thënë se me këto veprime Kurti po shmanget nga llogaridhënia.
“Kryeministri Kurti vazhdon t’i shmanget llogaridhënies ndaj Kuvendit duke mos marrë pjesë në seancë. Sot kur po mbahet seanca e parë e Kuvendit për sesionin vjeshtor 2024 ai nuk morri pjesë e as nuk u përgjigj në pyetjet parlamentare, njëjtë si në sesionin pranveror kur nuk u përgjigj në asnjë nga 36 pyetjet që deputetët kishin parashtruar për të”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka kritikuar edhe opozitën, e cila, sipas tij, nuk po e fton kryeministrin në interpelancë parlamentare.
“Gjithashtu, pavarësisht zhvillimeve të rëndësishme si në politikën e brendshme dhe atë të jashtme për periudhën gjashtë mujore, opozita nuk e morri mundin që asnjëherë gjatë kësaj periudhë të thërrasë kryeministrin në interpelance. Pyetjet parlamentare dhe interpelanca janë një instrument parlamentar e demokratik për të mbajtur qeverinë përgjegjëse e llogaridhënëse si dhe për të siguruar transparencë në vendimet dhe zbatimin e politikave”, ka shkruar Kryeziu.
Kurse, për deputetët e opozitës, mungesa e kryeministrit në seancë është shprehje e arrogancës.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se Kurti qëllimisht po injoron pyetjet e deputetëve të opozitës.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka treguar se sot kishe paraprë tri pyetje për kryeministrin e vendit.
“Mungesa e kryeministrit Kurti në seancat e Kuvendit është bërë rregull. Në këtë mënyrë, ai po injoron pyetjet e deputetëve dhe po ik nga llogaridhënia. Unë sot kisha 3 pyetje për kryeministrit, të cilat kishin të bënin për çështjet shumë të rëndësishme, por këto pyetje duhet të presin derisa kryeministrit të vije në seancë. Kjo tregon arrogancën e një kryeministrit të papërgjegjshëm ndaj institucionet që e ka zgjedhur”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Seanca e parë e sesionit vjeshtor është karakterizuar me përplasjet e vjetra të opozitës me pushtetin. Deputetët e tri partive opozitare kanë replikuar ashpër me përfaqësuesit e pushtetit për arsim, ekonomi dhe shëndetësi.
Kjo është seanca e parë që janë përuruar mikrofonat e ri dhe aparatura e re e votimit për deputetët.
Nga fotografitë që ka siguruar gazeta Nacionale shihet se jo të gjithë deputetët dinin t`i përdorin këto pajisje.
Në fotografi shihet deputeti i VV-së, Sali Zyba, duke e mësuar kolegun e tij partiak Gani Krasniqi se si të përdoret aparatura e re.
Po ashtu, edhe disa deputetët tjerë shihen duke e lexuar manualin që tregon për përdorimin e pajisjeve të reja.
Seanca e sotme, nuk mundi t`i vazhdoi punimet pas pauzës. Për shkak të mungesës së kuorumit, kryesuesi i seancës u detyruar ta mbyll seancën.
Mungesa e deputetëve në seanca ka qenë karakteristik edhe në sesionin pranveror të Kuvendit.
Në këtë mënyrë, është penalizuar puna e Kuvendit për të miratuar projektligje dhe për të marrë vendime tjera.