Në kohën kur Kosova vazhdon të mbetet nën masat e Bashkimit Evropian, pavarësisht përpjekjeve për demokratizim e sundim të ligjit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë me kritika të ashpra ndaj qasjes së BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë rilansimit të Programit “Willy Brandt” për zgjerimin e Bashkimit Evropian, organizuar nga Socialistët dhe Demokratët, Kurti ka theksuar se politikat e Kosovës janë vlerësuar vetëm në fjalë, ndërkohë që Serbia ka përfituar mbështetje edhe pse, sipas tij, është strehë për terroristët e sulmit në Banjskë.
“Përpjekjet tona për ta avancuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat fundamentale të BE-së pranoheshin me fjalë. Por shumë rrallë mbështeteshin në aksione. Në fjalë të tjera, politikat tona më shumë janë pëlqyer se mbështetur. E politikat e fqinjit tanë janë pëlqyer më pak, por janë përkrahur më shumë. Fqinji jonë verior që është agresor dhe që provokon tensione e synon destabilizim sot strehon e mbron terroristët, por është Kosova që mbetet nën masat restriktive të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se loja e Serbisë në mes të Moskës dhe Brukselit nuk duhet të tolerohet, ndërsa ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe është e gatshme t’i bashkohet BE-së.
Në hapje të programit të rilansuar, zyrtarët evropianë kanë nënvizuar synimin për bashkëpunim më të ngushtë me shtetet që synojnë integrimin evropian.
“Misioni jonë është i qartë: Ta bëjmë Evropën të plotë dhe të kompletuar”, thuhet në nisje të këtij programi.