Live

Kurti pas konferencës, shkruan në X për “ndërhyrjen e fortë” të Serbisë në zgjedhjet parlamentare

23:48 / 10 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në rrjetin social, “X”, duke thënë se Serbia ka interferuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke i kërcënuar subjektet politike serbe që sfidojnë Listën Serbe.

Ai shton se ky presion është bërë në forma të ndryshme, përfshirë edhe kërcënime financiare, shantazh e ryshfet.

“Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura një muaj më parë, ne dëshmuam një ndërhyrje të fortë dhe të drejtpërdrejtë të Serbisë, veçanërisht të qeverisë së saj, me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit të komunitetit serb në Kosovë. Kjo ndërhyrje përfshinte kërcënime financiare për mbajtjen e përfitimeve serbe, shantazh, ryshfet, sulme kibernetike të kontraktuara dhe forma të tjera presioni, duke synuar kryesisht partitë serbe që sfidojnë dominimin e Listës Serbe dhe kërkojnë të sjellin pluralitet politik në sistem, si dhe votuesit që mbështesin parti të tjera përveç Listës Serbe”, ka thënë Kurti.

Madje, ai akuzon Serbinë, se ajo ka organizuar transport për votim kolektiv të Listës Serbe.

“Në ditën e zgjedhjeve, autobusët transportuan votues nga Serbia dhe u organizua votimi kolektiv. Votuesit u monitoruan pranë qendrave të votimit dhe u bë e qartë se kushdo që denonconte këto veprime në polici do t’i kërcënoheshin familjet”.

Kurti thotë se ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq është kërcënuar drejtpërdrejtë nga Milan Radojçiq, i cili akuzohet si organizatori i i sulmit terrorist në Banjska me 24 shtator të vitit 2023.

“Metodat e shtrëngimit të votuesve janë dokumentuar dhe pranuar nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, i cili gjithashtu ka mbledhur prova të një fushate dezinformimi të orkestruar nga mediat e mbështetura nga Rusia në Serbi. Ndërkohë, ministri aktual serb i Kosovës, Nenad Rashiq, është kërcënuar drejtpërdrejt nga Milan Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij”.

“Siç tha ministri Rashiq, qeveria në Beograd është një qeveri autoritare – siç dëshmohet nga protestat disamujore – që synon të përdorë serbët në Kosovë për interesat e veta. Si rezultat, veprimet e saj në mënyrë aktive minojnë integrimin e serbëve të Kosovës në vendin tonë. Ai gjithashtu nënvizoi se si qeveria serbe përdori kërcënime fizike për të detyruar individët të votonin, përfshirë ata që nuk ishin të regjistruar për të votuar tre ditë para zgjedhjeve. Të dhënat e tyre janë marrë nga skemat e mirëqenies sociale dhe janë kërcënuar fizikisht nga Petar Petkoviq dhe policia serbe. Ndërkohë, hapjet fiktive të vendeve të punës në qeveri që synonin popullsinë serbe në Kosovë, synonin t’u jepnin ryshfet qytetarëve për të respektuar votën sipas linjave të Beogradit”.

Në fund, Kurti shton se përpjeket e Serbisë të ndikojnë në zgjedhjet e fundit në Kosovë, kanë ekspozuar një çështje kritike.

“Ky shembull ka ekspozuar disa çështje kritike, duke përfshirë përdorimin e përfitimeve shtetërore serbe për të shtypur një nga të drejtat themelore civile të popullatës serbe: të drejtën për votën e lirë. Gjithashtu ka vënë në pah aktivitetet e vazhdueshme ilegale të Milan Radoiçiqit, të kryera me urdhër të qeverisë serbe. Megjithatë, ajo ka treguar gjithashtu efektivitetin e zbatimit të ligjit tonë, duke siguruar që, ndryshe nga e kaluara, shtypja e votuesve të mos përshkallëzohej në rrahje dhe vrasje”, ka thënë Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua