Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se presin përfundimin e procesit të numërimit të votave, për siç tha ai ta përmbushur obligimin për formimin e institucioneve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Deri atëherë Kurti kërkoi nga ministrat e kabinetit të tij që të vazhdojnë punën me të njëjtin ritëm.
Kurti tha se nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve presin më shumë angazhim në përfundimin e numërimit të votave dhe kujdes të shtuar, siç tha ai për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.
“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës dhe sipas njoftimit të KQZ-së, më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë.
Deri atëherë pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm, ndërkaq të gjithë presim nga KQZ edhe më shumë angazhim në përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votueseve për të përmbyllur këtë proces zgjedhor me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kujtojmë se sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pritet të nisë procesi i numërimit të votave të diasporës, nga votimi në përfaqësitë diplomatike.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të premten ka përfunduar me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë e verifikimin e atyre për subjekte politike.
Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.90 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 22.03 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.64 për qind e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.46 për qind.