Live

Kurti: Vuçiqi autorizoi Radoiçiqin për të ndërhyrë në zgjedhjet tona

11:42 / 09 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se Serbia ndërhyri në zgjedhjet. Ai tha se shteti ka identifikuar “shtatë inctanca apo aktorë shtetërorë dhe joshtetëror të Serbisë” që e kanë bërë këtë.

“I pari është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha ai, duke përmendur më pas edhe Milan Radoiçiqin, kryenegociatorin serb për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, BIA-n, mediat serbe të kontrolluar nga Beogradi dhe disa struktura ilegale.

“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cenim që i bëhet demokracisë”, tha Kurti.

Ai tha se “Serbia orvatet që vendin tonë ta mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik, por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”.

Në zgjedhjet e fundit, ai tha format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të “përmirësimit të dukshëm të sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së strukturave ilegale”.

“Ndikimi i dikurshëm brutal, fizik, përfshirë edhe rrahjet e vrasjet nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim, janë rritur format e tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhi e frikësimet, sulmet kibernetike”, tha ai.

Kurti tha se “vetë presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e joshtetëror serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës”.

“Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Milan Radoiçiq apo njeriu që i ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë”, tha ai.

Kurti tha se aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje që të punojë kundër disa subjekteve serbe, veçanërisht partisë së Nenad Rashiqit dhe partisë Demokracia Serbe të Aleksandar Arsenijeviqit.

Institucionet e vendit, ai tha se “kanë dëshmi” për këtë ndërhyrje.

“Organet tona të rendit, bazuar në disa dëshmi të qytetarëve serbë, më 21 shkurf të këtij viti kanë mbyllur disa prej të ashtuquajtura qendra për çështje sociale”, tha Kurti, duke shtuar se ato “janë përdorur për të joshur apo shantazhuar votuesit”.

Shpërndaje në

U Kopjua