Live

Kush do të jetë Papa i ri? Numërimi prapa nis më 7 maj

14:56 / 28 Prill 2025

Nga Kosova Live

Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, kardinalët katolikë kanë vendosur që konklava për zgjedhjen e Papës së ri të nisë më 7 maj.

Vendimi u mor gjatë një takimi të mbajtur të hënën, i pari që nga ceremonia e varrimit të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Takimi u zhvillua në Vatikan, ku kardinalët diskutuan datën e fillimit të konklavës – procesit sekret të votimit për kreun e ri të Kishës Katolike.

Kapela Sistine, vendi tradicional ku zhvillohet konklava që nga shekulli i 16-të, është mbyllur për turistët për të mundësuar përgatitjet për votimin. Procesi zakonisht zhvillohet me rregulla të rrepta sigurie dhe fshehtësie. Dy konklavat e fundit, në vitet 2005 dhe 2013, zgjatën nga dy ditë, por kohëzgjatja mund të ndryshojë në varësi të situatës dhe vendimeve të Kolegji të Kardinalëve.

Zgjedhja e Papës bëhet nga 135 kardinalë me të drejtë vote, nga gjithsej 252 anëtarë të Kolegji. Kardinalët mbi moshën 80-vjeçare nuk marrin pjesë në votim, por mund të japin mendime në diskutimet paraprake mbi kandidaturat.

Ky është një moment me rëndësi historike për Kishën Katolike dhe miliona besimtarë në mbarë botën, që presin me interes drejtuesin e ri shpirtëror të Vatikanit./Klankosova.tv

Shpërndaje në

U Kopjua