Kuvendi i Kosovës u mblodh sot për të vijuar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, të ndërprerë më 15 prill.
Në njoftimin për media, Kuvendi tha: “Në hapje të saj, kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një takim konsultativ përkitazi me raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve”.
“Pas takimit kryesuesi Dehari njoftoi deputetët për ndërprerjen e seancës, duke paralajmëruar vazhdimin e saj, të shtunën, në orën 12:00”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.
Kujtojmë se seanca e sotme u ndërpre pasi partitë që në mandatin e kaluar legjislativ ishin në opozitë, nuk pranuan të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesi Dehari.
Kërkesë e tyre ishte respektimi i rendit të ditës së paracaktuar për seancën e sotme, që ishte paraparë të vihej në votim Raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. /Klankosova.tv