Një i dyshuar që ishte ndaluar nga patrullat policore në Gjakovë në bazë të një urdhërarresti aktiv ka arritur të arratiset përkohësisht nga ambientet e stacionit policor.
Klankosova.tv ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Nazmi (F) Mersulla, rreth 22 vjeç.
Sipas informacioneve të para, gjatë procedurave të ndalimit, i riu kishte kërkuar të përdorte tualetin, duke pretenduar se kishte probleme me stomakun. Zyrtari policor e kishte përcjellë deri te tualeti, ku i dyshuari kishte kërkuar privatësi.
Pas disa minutash, kur zyrtari kishte trokitur në derën e tualetit dhe e kishte hapur atë, ka rezultuar se i dyshuari nuk ndodhej aty. Ai kishte ikur përmes dritares së tualetit dhe ishte larguar nga oborri i stacionit në drejtim të panjohur.
Edhe pse njësitet policore janë vënë menjëherë në kërkim të tij, fillimisht nuk kanë arritur ta lokalizojnë. Lidhur me rastin është njoftuar menjëherë prokurori kujdestar.
Pas një pune të shpejtë hetimore dhe operative, patrullat policore kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë sërish të dyshuarin, duke e rikthyer në stacionin policor në Gjakovë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.