Live

Ky është polici i suspenduar në Mitrovicë pas rastit të vjedhjes së armës zyrtare nga një i dyshuar

12:01 / 03 Maj 2025

Nga Kosova Live

Pas rastit të vjedhjes së armës zyrtare brenda Stacionit Policor në Mitrovicë, dy zyrtarë policorë Fikrije Imeri dhe Shkelqim Osmani, u suspenduan për 72 orë, pasi dyshohet se  janë të përfshirë në shkelje disiplinore.

Hetimet fillestare kanë zbuluar se hetuesi Osmani e kishte lënë të dyshuarin vetëm në zyrë për disa minuta, ndërsa hetuesja Fikrije Imeri, e cila kishte përdorur më herët atë zyrë, kishte lënë revolen e saj në çantën personale dhe kishte dalë jashtë pa siguruar armën, duke shkelur detyrimet ligjore, raporton Sinjali.

Klankosova.tv ka siguruar fotografinë e policit Osmani, i cili do të hetohet bashkë me kolegen e tij për këtë rast.

Suspendimi është marrë për t’i hapur rrugë procedurës disiplinore, pas hetimeve të brendshme që po zhvillohen për shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë dhe procedurave standarde operative.

Mungesa e mbikëqyrjes ka mundësuar që i dyshuari të shfrytëzojë rastin dhe të marrë armën, të cilën më pas e fshehu në trup.

Arma u gjet gjatë një kontrolli në një stacion tjetër policor në Mitrovicën e Veriut, por vetëm pasi kaluan disa orë nga incidenti, duke shkaktuar rrezik serioz për sigurinë.

Edhe Policia e ka konfirmuar tashmë suspendimin.

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua