Live

Legjislatura VI me mungesë demokracie dhe ligjshmërie

17:16 / 16 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Legjislatura në ikje (VI) e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht përbërja e saj pozitë-opozitë, është cilësuar si joefikase dhe jolegjitime. Analistët politikë thonë se kjo legjislaturë ka pasur edhe mungesë demokracie dhe ligjshmërie. 

Analisti Artan Muhaxhiri këtë pohim e mbështet duke u bazuar në fuqinë e votës që ka pasur Qeveria dorëhequr karshi opozitës dhe anasjelltas. 

 “Nuk i ka përfaqësuar interesat e qytetarëve dhe nuk ka funksionuar në mënyrë demokratike, sepse shpesh Qeveria nuk i ka pasur as 61 vota, ndërsa  opozita nuk e ka kryer detyrën e saj, që ta rrëzoj Qeverinë, e cila nuk i ka 61 vota. Pra, ka qenë një komplikim krejtësisht i çuditshëm dhe është mirë që sipas të gjitha indikacionet të shpërbëhet. Është e pritshme që Qeveria e ardhshme të jetë më stabile sesa kjo që ka qenë”, ka thënë Muhaxheri.

Kjo legjislaturë është karakterizuar edhe me mungesë kuorumi, por seanca e së enjtes, nuk pritet të dështoj për këtë çështje. Kjo për faktin se pothuajse të gjitha subjektet politike janë deklaruar se janë të gatshme për vet-shpërndarje, thotë  Jeta Krasniqi njohëse e rrethanave politike.

 “Ne kemi parë deklaratat e partive politike të cilat kanë shprehur gatishmërinë për zgjedhje. Pjesa më e madhe e tyre kanë dorëzuar edhe nënshkrimet në Kryesi për seancën e jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit, prandaj, një gjë e tillë pritet që të ndodh me 22 gusht. Se çfarë mund të ndodh dhe cilat mund të jenë situatat e paparashikueshme është pak e vështirë që sot t’i vlerësojmë, vetëm nëse futemi në teori konspirative”, thotë Jeta Krasniqi. 

Në administratën e Kuvendit deri më tani janë dorëzuar 93 nënshkrime për thirrjen e seancës së 22 gushtit.

Shpërndaje në

U Kopjua