Shkollën e mesme nuk dihet se a e përfundoi apo me hapa të shpejtë kaloi direkt në tregun e punës. Duke qenë se për t’u punësuar i duhej një diplomë e shkollës së mesme, Nazim Kuçi gjeti një formë të shpejtë për ta përfunduan shkollën dhe siguruar diplomën.
Kjo duket se u bë përmes parave. Pra, duke i dhënë dikujt para dhe duke e përfituar diplomën. Kiks Kosova ka siguruar një dokument, e cila është diplomë e falsifikuar e një shkolle të mesme, emri i se cilës, të çon në komunën e Deçanit.
Drejtori i Zyrës së Pylltarisë në Kaçanik, Fatmir Loku, assesi nuk e pranoi një fakt të tillë. Sipas tij, gazetarja duhej ta linte rehat puntorin e tij. Ndonëse u informua mirë e qartë se Nazim Kuci, i cili ishte punësuar si roje pylli, nuk kishte diplomë origjinale, pra ishte e falsifikuar, drejtori nuk është se u duk i shqetësuar apo i mërzitur.
Madje, atij iu duk fare e parëndësishme që emisioni kishte hulumtuar këtë çështje edhe pse, një fakt i till përbën shkelje dhe vepër penale.
Në intervistën e tij për Kiks Kosova, Fatmir Loku, në vazhdimësi insistonte se nuk është i informuar mbi këtë temë dhe se e vetmja që do të duhej të bënim, përsëriste Loku, ishte ta linim rehat Kucin. Duket se nuk ishte edhe aq i pa informuar drejtori Fatmir Loku.
Kjo ngase, menjëherë pas takimit tonë dhe xhirimit të intervistës, ai kishte vrapuar që të shkonte në lokacionin se ku ndodhej Kuci, që ta informonte se kamera e gazetarët po e përcjellnin e po e kërkonin.
Ballafaqimi ishte i shpejt si rrufeja, Kjo ngase si shefi, si puntori, kishin bërë fjalët që si të dilnin jashtë, të iknin sa më shpejtë që ishte e mundur. Historia nuk mbyllet në Kaçanik.
Kiks Kosova kontaktoi zyrën e pylltarisë në Ferizaj dhe drejtorin aty. Dy ditë radhazi, emisioni trokiti në zyrën e tij, por asnjëherë nuk po qëllonim në drejtorin. Përmes telefonit, arritëm të marrim të paktën një qëndrim të tij mirëpo krejt rastësisht, drejtori Bekim Topalli kishte vendosur që të kthente përgjigje në formë të pyetjes dhe duke ironizuar me informata të pavërteta.
“Aje gjykatëse ti cfarë të intereson”, tha Topalli duke vazhduar tutje se Nazim Kuci, përvec rojes së pyllit tre vjet më parë ishte edhe nënkryetar në Kaçanik.
Se a i rrëshqiti si shaka apo cili ishte qëllimi i Topallit, mbetet e panjohur, mirëpo një gjë është e sigurt, Nazim Kuci nuk ishte kurrë nënkryetar i Kaçanikut.