Live

Lekaj: Zvarritja e procesit zgjedhor, strategji e Qeverisë për fitimin e kohës

14:01 / 22 Mars 2025

Nga Kosova Live

Ish deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë për zvarritjen e procesit zgjedhor, duke e cilësuar si një strategji të qëllimshme për të fituar kohë dhe për të manipuluar opinionin publik.

Lekaj thotë se verdikti i qytetarëve ka treguar që VV nuk ka fituar zgjedhjet, por vetëm numrat më të lartë si parti.

“Zvarritja e procesit zgjedhor është një strategji e qartë e Qeverisë për të fituar kohë. Verdikti i qytetarëve ka treguar se VV nuk ka fituar zgjedhjet, por vetëm numrat më të lartë si parti. Për të formuar qeverinë, ata kanë nevojë për një koalicion me ndonjë subjekt opozitar, të cilin nuk do ta kenë. Prandaj, kjo vonesë i konvenon vetëm Albin Kurtit dhe partisë së tij, të cilët po përpiqen me çdo mënyrë të manipulojnë opinionin dhe të mbajnë pushtetin me çdo kusht”, tha ai.

Lekaj theksoi se kjo vonesë po krijon pasiguri për vendin dhe po pengon zhvillimin ekonomik dhe procese të tjera të rëndësishme.

Ai shtoi se qytetarët meritojnë një qeveri funksionale dhe se çdo përpjekje për të zvarritur këtë proces është një lojë politike për interesa të ngushta.

“Kjo situatë po krijon paqartësi dhe pasiguri për vendin, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe duke bllokuar shumë procese të rëndësishme institucionale. Qytetarët meritojnë një qeveri funksionale, dhe çdo tentativë për të zvarritur këtë proces është një lojë politike për interesa të ngushta partiake”, përfundoi Lekaj.

Shpërndaje në

U Kopjua