Shkruan: Shkelzen Maliqi
Shënim:
Shkrimin “Lekura e Hashim Thaçit” e kam botuar më 27 shkurt 1999 në javorën “Zëri”, në ditën më kritike të Konferencës të Rambujesë, kur po skadonte “ultimatumi” i ndërkombëtarëve që të nënshkruhet Marrëveshja e paqes.. Çështja ishte se marrëveshja ishte refuzuar nga pala serbe, kurse delegacioni i Kosovës kishte hezitime, e pëlqente plaftormën politike që parashihte krijimin e organeve vetëqeverisëse të Kosovës, por mungonin garancitë taksative, e para, e drejta e vetëvendosjes për Kosovën (lihej si proces i hapur) dhe, e dyta, delegacionit të Kosovës i kërkohej sakrifica e shpërbërjes të UÇK-sl, sepse roli i garantuesit të sigurisë t’i kalonte forcës ndërkombëtare, të instalua më vonë si KFOR.
Po e ribotoj shkrimin, me idenë se edhe sot, p.sh. te aranzhimi i paqes në Ukrainë, mollë sherri po bëhen “garancitë e sigurisë”. Sot e kemi mundësinë e rimendimit të sjelljeve të fuqive të madha, sidomos të SHBA-ve, që si aleate e jonë, as para 26 vjetëve nuk ka mundur të na garantojë sovranitetin e plotë, por nuk e preu Hashium Thaçin në besë te garanrtimi i sigurisë, KFOR-i mbetet në detyrë, vërtetë në dukje është i paanshëm, por me rëndësi ka qenë anëshmëria e politikave të SHBA dhe superfue evropiane, që e mbështesnin Kosovën, sidomos Hashim Thaçin, që në procesin politikë të koordinuar, të shpallet pavarësia. Edhe për arritjen e sovranitetit të plotë është dashur të kultivohen me kujdes dhe respekt miqësitë me aleatët. Por çka bënë sovranistët tanë iluzionist? Ata me delire të madhështisë te politikbërja zgjodhën që për pikënisje të kanë atë mendësi miope të keqllogaritjeve me huqjet kolosale të vlerësimit të Rambiujes, Planit të Ahtisarit dhe të shpalljes të pavarësisë, si dështime! Dhe çka bëjnë tash sovranistët miopë me SHBA-të të kapura nga një kastë politike që vepron me parime të tregitisë brutale transakcionale, që garancitë e sigurisë për Ukrajinën e kushtëzon me triliona dollarë asetesh minerale, me atë që Kievit ioa lë sovranitet të cunguar, sepse duhet të ngopet edhe Rusia, si fuqi e madhe e armatimit nuklear. >
A ëshrë Rambujeja sukses apo dështim i shqiptarëve? Në këtë pyetje vështirë se mund të jepet përgjigje e prerë. Secili do ta japë përgjigjen nga kuti i vet i vlerësimit të aspekteve pozitive (që gjithsesi janë të shumta, madje me rëndësi historike) dhe atyre negative.
Legalizimi i UÇK-së
Por, në këto momente të para, kur sapo morëm informatën e dakordimit parimor të delegacionit me Marrëveshjen, unë vëmendjen do ta fokusoja para së gjithash në personazhin kryesor të kësaj konference, i cili edhe u gjend në qendër të kontradiktës. E kam fjalën për Hashim Thaçin, udhëheqës i UÇK-së. Në Konferencën e Rambujesë jo vetëm se u legalizua definitivisht UÇK-ja si formacion i armatosur i Kosovës, por edhe udhëheqësi i saj, përkundër disa paqartësive rreth kësaj që mbetën të mjegullta, u zgjodh kryesues i delegacionit, gjë që shënon kulmin e afirmimit të tij personal si politikan dhe si udhëheqës potencial i ri i lëvizjes kombëtare të kosovarëve. Nga deklarimet e diplomatëve, dihet se Hashim Thaçi atyre u la mbresa të fuqishme. Edhe e gjithë puna e delegacionit shqiptar thuhet se ka qenë e mrekullueshme, gjë që po kështu mund të lidhet me faktin se në krye të saj ka qenë Thaçi. Kuptohet, kësaj harmonie është dashur t’i kontribuanin edhe anëtarët e tjerë të delegacionit, sidomos ata që njihen si sedërhollë në çështjet e liderizmit. Mirëpo, ja që ndodhi që as Rugova, deri dje lider i pakontestueshëm kosovar, dhe as Qosja, me ambicien e tij që të paraqitet si babai i kombit, nuk e kundërshtuan aspak rolin prijës të Thaçit në Rambuje.
Pse ndodhi kjo? Sigurisht jo vetëm pse ata u bindën (kjo sidomos vlen për Rugovën) se UÇK-ja është shndërruar në forcë kryesore drejtuese të lëvizjes që do të mund të kontrollonte edhe sektorin politik. Ata e respektonin raportin e forcës, faktin se UÇK-ja është bërë një faktor motorik dhe garantues për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por kanë pasur edhe disa parashikime më të rafinuara politike. Së pari, Rugova, por edhe Qosja dhe të tjerët që do të pretendonin rolin e prijësit, që më parë e dinin se Konferenca e Rambujesë në asnjë mënyrë nuk premton realizimin e aspiratave maksimale shqiptare, dhe prandaj tentonin që për nënshkrimin e autonomisë kurban ta bënin udhëheqësin e UÇK-së, që nuk kishte shumë përvojë në politikë. Rugova, po kështu, me këtë koncesion për herë të parë demonstronte (demagogji apo bindje e sinqertë?) sensin prej politikani të ndërgjegjshëm, duke e vënë interesin suprem kombëtar mbi interesat e tij personale të liderit. Kjo sigurisht se do të ketë efektin e vet, sidomos nëse ka qenë diçka për të cilën është këshilluar nga suflerët e tij të jashtëm. Nëse Rugova e ka ambicie mbetjen në pushtet edhe në periudhën e ardhshme, gjatë dhe pas fazës kalimtare, ky koncesion momental që e bëri në Rambuje, në raport me opinionin e tij përkrahës në Kosovë, nuk ka qenë assesi shenjë e dobësisë së tij (shumë thoshin se ylli i tij politik po shuhet), por e kundërta, se ai tanimë po e zë pozitën e politikanit të formatit historik. Rugova kështu arriti të krijojë bindjen se jo aftësia e Thaçit dhe kooperativiteti i të tjerëve solli kthesën e madhe të paraqitjes unike të shqiptarëve në Rambuje, por se kjo u arrit me meritën e tij, sepse ky ia lëshoi vendin që i takonte, sipas të gjitha kritereve (ishte i vetmi personalitet i zgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të shqiptarëve) një lideri të ri, për hir të çështjes.
Presioni për nënshkrimin e marrëveshjes
Por, t’i kthehemi pozitës së palakmueshme të udhëheqësit të UÇK-së në Rambuje. Në momentet e fundit kur po kalonte afati i ultimatumit të dytë, Thaçi ishte i vetmi person në delegacionin shqiptar i cili ende kundërshtonte, përkundër të gjitha presioneve të bashkëpunëtorëve dhe të përfaqësuesve të fuqive botërore, që të pranonte marrëveshjen. Ishte krijuar një situatë kur 14 anëtarët e tjerë të delegacionit ishin bindur, kurse Thaçi hezitonte të thyhej. Besoj se edhe Hashim Thaçi intimisht ishte i bindur se marrëveshja është e mirë, se ajo po ofronte maksimumin e mundshëm në rrethanat ekzistuese, me një sërë garancish (ende jo të mjaftueshme, por të negociueshme dhe të arritshme) për implementimin e saj në dobi të qytetarëve dhe si një hap historik drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Por, ai ballafaqohej me një problem të madh, se me pranimin e kësaj marrëveshjeje e prente degën në të cilën ishte ulur. Marrëveshja në fjalë, në të vërtetë, kërkonte nga delegacioni shqiptar, në këtë apo në atë mënyrë, zhbërjen ose shndërrimin e UÇK-së! Kjo ishte vërtet një sfidë tejet e madhe. Prej udhëheqësit të UÇK-së kërkohej që të hiqte dorë nga krijesa e tij Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por kuptohet për hir të qëllimit për të cilin ishte krijuar ajo ushtri.
Dihet se më herët Medlin Ollbrajt, në bisedën që kishte më Thaçin dhe me delegacionin e UÇK-së, i kishte këshilluar këta se, meqë është paraparë që Kosovën në fazën kalimtare ta kontrollojë NATO-ja, ai me shokët të formojë një parti politike që do të luftonte, me mjete politike, për ato qëllime për të cilat ata morën armët në duar dhe rezistuan me sukses pushtuesin serb. Dhe me këtë propozim UÇK-ja këshillohej që të shndërrohet në një forcë partikulare, pra të hyjë në konkurrencë me formacionet e tjera politike, në mënyrë që ta rikonfirmojë pozitën e vet përmes votës së popullit. Kjo ofertë përmbyste logjikën revolucionare me të cilën UÇK-ja hyri në luftë, sipas së cilës legjitimiteti i të gjitha gjërave buron nga akti revolucionar i përfaqësimit të interesave të njëmendta të popullit. Nga ky pozicion revolucionar i legjitimitetit të siguruar me gjak, ata kundërshtonin edhe çdo pretendim legjitimues të institucioneve paralele të pushtetit që i kishte krijuar LDK-ja dhe partitë e tjera të spektrit të përkrahësve të Rugovës.
Krijimi i realitetit të ri
Fati i UÇK-së, prandaj, ka qenë një nga temat kryesore të bisedave në Rambuje. Kjo edhe kushtëzonte insistimin aq me ngulm të garancive të marrëveshjes, që të dy dokumentet, ai i statusit të përkohshëm trevjeçar dhe ai i masave të sigurisë dhe të garantimit, të aprovohen si një tërësi. Serbët nuk e kontestonin shumë, pos në disa elemente kyçe, marrëveshjen politike, por kërkonin me çdo kusht që ajo të ndahet nga marrëveshja e sigurisë dhe e garancisë, që parasheh hyrjen e rreth 30.000 trupave të NATO-s në Kosovë.
Gjithë kohën në Rambuje ishte krijuar një rreth vicioz rreth këtyre çështjeve: Për të nënshkruar marrëveshjen politike shqiptarët kërkonin që njëkohësisht të nënshkruhet edhe marrëveshja e sigurisë. Serbët, përkundrazi, insistonin që të nënshkruhet marrëveshja politike, në mënyrë që pastaj të diskutohet për çështjet e sigurisë. Ndërkaq, ndërmjetësuesit, të cilët po kështu problemin e shihnin si tërësi, por edhe si diçka që mund të realizohet në dy hapa, nuk dinin si ta tejkalonin problemin pasi që as shqiptarët e as serbët nuk lëshonin pe në pikat kyçe që do ta çonin procesin më tutje. Më në fund, mediatorët kuptuan se tek shqiptarët mund të ketë sukses presioni politik (që ata ta nënshkruajnë marrëveshjen politike), në mënyrë që të hapet mundësia për presione militare ndaj serbëve, ngase ata rreth aranzhimit të sigurisë nuk do të pajtoheshin pa presione më serioze se do të sulmohen dhe detyrohen që të pranojnë planin në tërësi. Diplomatët, prandaj, këshillonin shqiptarët që të nënshkruajnë pjesën politike, sepse vetëm kjo dhe jo edhe kokëfortësia e tyre e hapte derën për aktivizimin e urdhrit të NATO-s dhe të detyrimit të Beogradit që t’i bindet kërkesës së Grupit të Kontaktit.
Në përgjithësi, procesi i negociatave ka qenë i rëndë. E uroj Hashim Thaçin për guximin e tij. Është me rëndësi që sa më parë të arrihet marrëveshja. Edhe pse nuk i kënaq aspiratat maksimale shqiptare, ajo shënon fillimin e një kthese historike. Kryesorja është se policia serbe do të largohet nga Kosova. Bashkësia ndërkombëtare po krijon një ambient krejtësisht të ri që nga Bosnja deri te Maqedonia, për arritjen e sigurisë rajonale. Ne duhet të participojmë në këtë proces, në mënyrë që edhe në Kosovë, por edhe si komb në tërësi, të fitojmë një kohë për konsolidimin e institucioneve dhe riaktivizimin e potencialeve.
Zëri, 27 shkurt 1999