Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili synon një mandat të ri qeverisës, premtoi këtë javë mbi një miliard euro buxhet për Forcën e Sigurisë së vendit dhe përsëriti se Kosova do ta ndërtojë fabrikën e saj të municioneve dhe dronëve ushtarakë.
Tim Less nga Universiteti i Kembrixhit, beson se Kosova duhet të ndërmarrë dy hapa kyçë për të ruajtur vëmendjen e aleatëve të saj.
“Një është lobimi aktiv te Perëndimi, duke promovuar idenë se Serbia është kërcënim për të dhe duhet të frenohet. Dhe, nën dy, të investojë në sigurinë e saj, duke ndërtuar ushtrinë e saj, duke ndërtuar rezervat e saj të armatimit e kështu me radhë – në rast se i duhet të përballet me Serbinë drejtpërdrejt dhe pa ndihmë nga jashtë”, thotë Less.
Dhe, me një administratë amerikane që sinjalizon më pak përfshirje në çështjet evropiane, Kremlini mund të ndjejë më pak presion për veprimet e tij, qoftë në Ukrainë, qoftë në Ballkan, thotë profesori Less.
“Inaugurimi i Donald Trumpit më 20 janar ishte një lloj bombe që shpërtheu në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pothuajse kudo që shikoni, shihni një lloj të ndikimit të Trumpit”, sipas tij.
Në këtë klimë të pasigurt, sfida për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duket e qartë: qëndroni në radar, ose rrezikoni të mënjanoheni nga loja gjeopolitike, thonë analistët.
Por, kjo kërkon një balancë të kujdesshme mes interesave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare – diçka që kurrë nuk është e lehtë, sidomos në një rajon si Ballkani.