Për një proces që dyshohet se ka pasur manipulime brenda Lidhjes Demokratike në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka nisur të lëviz Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Fjala është për dyshimet se pati menaxhim dhe administrim të votave me postë nga mërgata, për kandidatë të caktuar të këtij subjekti politik .
Gjithçka ka nisur pas thirrjeve publike dhe ankesave që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje disa herë për “dallimin e madh” të votave nëpër përfaqësitë diplomatike dhe atyre me postë për kandidatë të caktuar për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Se prokuroria ka nisur ta ‘hallakatë’ këtë punë, e kanë bërë të ditur burime të mirë të informuara të Periskopit.
Prokuroria e Prishtinës tashmë ka nisur t’i intervistojë ata që “janë lënduar nga” procesi i votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Disa prej tyre që kanë arritur të bëhen deputet nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por edhe disa të tjerë që nuk kanë arritur të fitojnë mandatin, tashmë janë telefonuar nga Porkuroria Themelore (emra të njohur për redaksinë).
” Disa nga ta emra të njohur në Lidhjen Demokratike të Kosovës tashmë janë thirrë në telefon nga një prokuror i themelores që po merret me këtë rast”, i ka thënë Periskopit një burim i mirë informaur.
Tutje ky burim ka sqaruar se askush brenda LDK`së nuk ka deponuar ose ankuar në Prokurori për dyshimet se u favorizuan kandidatë të caktuar dhe për dyshimet për ‘vjedhje’ votash brenda partisë.
Ata që janë të paknaqur me procesin e votimit me postë nga diaspora, brenda LDK`së tashmë dihet që kanë reaguar publikisht.
Periskopi ka tri ditë që ka nisur pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Për krejt këto dyshime se dikush u favorizua brenda LDK`së për t`u votuar nga mërgata përmes postës (një listë e ngushtë e të preferuarve), është distancuar publikisht nënkryetari i këtij subjekti politk, Lutfi Haziri gjatë një interviste në Periskopi.
Ai madje ka thënë se nuk ka organizim ose nuk është LDK prapa dyshimeve apo administrimit, favorizimeve për kandidatë të caktuar të votës nga diaspora, por që janë indidvidë e për të cilët ka bërë thirrje që të ketë hetim deri në fund.
Pika më e nxehtë në mbledhjen e fundit të kryesisë së LDK që zgjati më shumë se pesë ora ka qenë pikërisht kjo – se çka ndodhi dhe se si u favorizuan kandidatë të caktuar të LDK, e disa prej të cilëve falë votës së diasporës me postë, në momentin e fundit, kanë arritur të bëhen deputetë.
Rezultati jo i mirë për LDK pas 9 shkurtit dhe dyshimet për votat nga diaspora, tashmë kanë nxjerr në shesh paknaqësitë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më i ashpri ka qenë ish kryeministri i Kosoëvs, tashmë edhe për një mandat deputet, Avdullah Hoti.
Madje ai ka kërkuar zgjedhje të reja , duke kërkuar “kokën” e Lumir Abdixhikut si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Por, i pakënaqur nuk është vetëm Avdullah Hoti.
Figura që kanë një peshë goxha të madhe në LDK mendojnë njësoj si Hoti.
Arben Gashi, dikur shef i Grupit Parlamentar të LDK, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi janë vetëm disa nga të “rrebeluarit” me partinë që i takojnë.
Për gardën e vjetër të LDK dihet se qysh moti janë të pakënaqur me ardhjen në krye të LDK`së të Lumir Abdixhikut dhe ‘reformat’ e bëra në këtë subjekt politik.
Për reagim që patë Avdullah Hoti, ky i fundit u ‘gozhdua’ nga një pjesë tjetër, që vetëm ‘amin’ bëjnë se çfarë thotë kryetar i LDK`së Lumir Abdixhiku.
Për votat nga diaspora Lumir Abdixhiku ka folur publikisht duke treguar qëndrimin e subjektit që drejton.
“Kemi thënë dhe kemi diskutuar se çdo kandidat duhet t`i adresojë vërejtjet dhe pikëpamjet e tyre në institucionet përkatëse. Për cdo gjë, qoftë për çështje procedurale të KQZ’së, qoftë për çështje të hetuesisë. Mbështesim cdo hetim të institucioneve. Ruajtja e votës, ruajtja e votës së brendshme, ruajtja e votës ndërpartiake është gjëja më e shenjtë. Prapa këtij qëllimi qëndron LDK, siç ka qëndruar gjithëherë”, kishte thënë Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë, e para kjo pas rezultatit të 9 shkurtit.