Live

Ligji për Qasje në Dokumente Publike veç në letër

20:36 / 21 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Autore: Egzona Berisha Krasniqi

Viteve të fundit në Kosovë ka filluar të zhvillohet në përmasa më të mëdha gazetaria hulumtuese me anë të së cilës raportohet për çështje në interes të publikut. Dokumentet janë në qendër të raportimit hetimor.

Shpesh, ato ofrojnë prova ose të dhëna për shkeljet që gazetarët dëshirojnë të zbulojnë. Andaj, dokumentet mbeten njëri nga burimet kryesore të gazetarisë hulumtuese.

Në Kosovë ekziston Ligji për Qasje në Dokumentet Zyrtare, të cilit i referohen gazetarët, kur duan të kenë qasje në dokumente të ndryshme.

Ky ligj garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Poashtu e drejta e qasjes në dokumente zyrtare është e garantuar ndërkombëtarisht, ku vlen të theksohet Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Njëkohësisht edhe institucionet publike janë të detyruara që veprimtaria e tyre të jetë në mënyrë publike dhe sa më transparente. Ligji i detyron institucionet publike që brenda një afati të caktuar të japin informatat e kërkuara me ç’rast afati i përgjigjes është 7 ditë.

Institucionet mund të refuzojnë të japin informacione ose dokumente vetëm në rastet kur dëmi i shkaktuar interesit të mbrojtur e tejkalon interesin publik për qasje në atë dokument.

Qasja pa pengesa në dokumente zyrtare është lehtësuese për punën e gazetarit, dhe poashtu ndikon në cilesinë e lajmit duke e bërë më të besueshëm, më transperent dhe rrjedhimisht duke ndërtuar një urë besimi mes gazetarit dhe lexuesit.

Mirëpo, një organizatë joqeveritare kishte sfiduar institucionet e vendit vitin e kaluar, duke bërë një hulumtim se sa janë të qasshëm këto institucione.

D+ kishte dërguar në pjesën e parë të vitit, kërkesa për qasje në dokumente publike tek 20 institucione, me temen e reklamave/marketingut në media. Nga këto institucione, 16 prej tyre kishin lejuar qasje, ndërsa 4 prej tyre nuk janë përgjigjur fare. Megjithatë, kualiteti i informacioneve të ofruara ka lënë shumë për të dëshiruar, ngase përgjigjet e dhëna kanë qenë aq të mangëta, sa që nuk mund të shërbejnë as për qëllime krahasimore.

Në anën tjetër, gazetarët vazhdimisht nëpër fokus grupe kanë deklaruar se autoritetet nuk janë transparente dhe përdorin taktika të ndryshme për të dekurajuar qasjen në dokumente. Kështu ata e stërzgjasin procesin, duke i endur dhe drejtuar gazetarët nga një institucion te tjetri dhe duke u dërguar informacione jo specifike por me shumicë, në mënyrë që t`u vështirësohet gjetja e përgjigjes së qartë. Njëashtu, kryeredaktori i një prej mediumeve më të mëdha në Kosovë ka deklaruar se në 80 për qind të rasteve gazetarët nuk i kanë marrë informatat e kërkuara. Kjo ngase institucionet e dijnë se gazetarët nuk kanë shumë kohë dhe energji të iniciojnë procedura dhe t’i padisin në gjyq, meqë këto mund të zgjasin pesë apo gjashtë vjet. Për këtë arsye ata i refuzojnë këto kërkesa dhe kështu çështja mbetet e hapur, pa ndonjë epilog pozitiv.

Në raportin mbi qasjen në dokumente publike nga Avokati i Popullit shihet se trendi i rritjes së numrit të ankesave të paraqitura tek ky institucion lidhur me pretendimin për mohim të së drejtës për qasje në dokumente publike është në rritje e sipër. Por sipas raportit, ajo që mbetet e njejtë është gjendja sa i përket mosklasifikimit të dokumenteve, mungesës së kapaciteteve të zyrtarëve përgjegjës në trajtimin e kërkesave për qasje, por edhe mungesa e vullnetit të institucioneve për zbatimin e ligjit.
Kosova si shtet në të vërtet përmban një kornizë ligjore të duhur në këtë aspekt të cilën e gëzojnë qytetarët e vendit, por nga raportet dhe analiza e gazetarëve, vërehet një pakënaqësi e implementimit të këtij ligji.

Procesi i qasjes në dokumentacion në Kosovë karakterizohet me pengesa, zvarritje dhe mosqasje të plotë të shkaktuara nga institucionet publike apo nga zyrtarët. Nga kjo qartazi kuptohet se zbatueshmeria e këtij ligji lë shumë hapsirë për t’u vënë në funksion, lë akoma shumë për të dëshiruar.


Shpërndaje në

U Kopjua