Live

Lirohet nga akuza për terrorizëm, Hadi Nura

17:46 / 25 Prill 2025

Nga Kosova Live

Është liruar nga akuza për terrorizëm i akuzuari për Hadi Nura, pasi që nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

Shpallja u bë të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti.

Lidhur mbi vendimin, gjyqtari njoftoi palët me të drejtën e ankesës në afat ligjor prej 30 ditëve për në Gjykatën e Apelit si dhe që shpenzimet bien në barrën e buxhetit të gjykatës.

Në këtë rast, për terrorizëm akuzoheshin 11 persona, Hadi Nura, Kujtim Bytyqi, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jatmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Jeton Ajdini dhe Zejadin Berisha, por tashmë për tre prej tyre është veçuar procedura.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 korrik 2018 kishte dënuar me 18 vite burgim Artan Kadriun, Besim Shabanin, Egzon Latifin, Adil Bushin, Jatmir Bushin, Bekim Halilin, Kujtim Bytyqin, ndërsa e kishte liruar nga akuza të pandehurin Jeton Ajdinin.

Për të akuzuarin Hadi Nura, gjykata jashtë seancës, kishte marrë vendim që të veçojë procedurën, e kjo për arsye se i akuzuari Nura ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kishte për të kryer disa trajtime mjekësore edhe jashtë vendit.

Procedura ndaj Betim Ibrahimaj ishte veçuar më parë pasi që i njëjti gjendet në arrati, ndërsa më pas ishte veçuar procedura edhe ndaj të akuzuarit Zijadin Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”..

Ndryshe, Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini, akuzohen se në periudha të ndryshme kohore, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë udhëtuar për në Turqi, e më pas për në Siri, ashtu që kanë kryer stërvitjet ushtarake dhe fizike si pjesë e organizatës terroriste “ISIS”.

Sipas aktakuzës, së 7 majit 2015, Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Bekim Halili,Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini kanë luftuar në Siri për një kohë, e më vonë janë kthyer në Kosovë. Me këtë, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”.

Artan Kadriu, sipas aktakuzës, në kohën prej muajit shtator të vitit 2013, deri në muajin shkurt të vitit 2014, me qëllim që t’i bashkohet grupit terrorist “ISIS”, kishte udhëtuar për Turqi. Mirëpo, i njëjti nuk kishte arritur të shkoi në Siri pasi që i ishte ndaluar hyrja në Turqi nga ana e autoriteteve turke, të cilat e kishin kthyer të akuzuarin Kadriu në Prishtinë.

Kurse, Kujtim Bytyqi, akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, kurse për këtë vepër penale akuzohen edhe Zejadin Berisha dhe Bekim Halili.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua