Live

Lushnja bëhet me memorial kushtuar Vaçe Zelës

15:05 / 09 Gusht 2019

Nga Kosova Live

“Sheshit të Qytetarëve” në qytetin e Lushnjës së shpejti do t’i vendoset në memorial kushtuar Artistes së Popullit, Vaçe Zela. Lajmi bëhet i ditur nga Bashkia Lushnjë duke theksuar se “në këtë memorial i cili është një vlerë e shtuar për qytetin e Lushnjës, Vaçe Zela është me kitarë e cila duket se do të këndojë këngët që nuk harrohen kurrë”.

Ky projekt u miratua nga Këshilli Bashkiak rreth një vit më parë më kërkesë të Kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe.

Vaçe Zela kishte një zë të rrallë si ai i flladeve dhe i ujëvarave pranverore, zë ky që për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut.

Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën

“Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe.

Shpërndaje në

U Kopjua