Live

Maqedonci: Kemi informacione të besueshme për praninë e inteligjencës ruse në veri

19:57 / 31 Mars 2025

Nga Kosova Live

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se inteligjenca ruse është e përfshirë në strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës. Në një intervistë për gazetën kroate Večernji List, ai ka theksuar se ndikimi rus është rritur që nga fillimi i agresionit në Ukrainë, duke përbërë kërcënim të vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi informacione të besueshme për praninë e inteligjencës ruse në strukturat ilegale në veri të Kosovës. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ndikimi i tyre është rritur, sidomos përmes bashkëpunimit me Serbinë”, ka thënë ministri Maqedonci.

“Janë të dokumentuara tashmë lidhjet Serbi-Rusi përmes Qendrës Humanitare në Nish dhe aktiviteteve të inteligjencës. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve serbë, por lidershipi në Beograd luan me frikën për qëllime të brendshme politike. Kjo retorikë destabilizuese ka për qëllim të ndalojë integrimin euroatlantik të rajonit”, ka shtuar ai.

Ministri Maqedonci është përgjigjur edhe ndaj deklaratave të autoriteteve serbe për marrëveshjen ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci, duke thënë se ajo nuk duhet parë si kërcënim për Serbinë, por si një mundësi për bashkëpunim dhe stabilitet në rajon.

“Serbia në vazhdimësi synon të mbajë rajonin në tension dhe pasiguri. Në fakt, shtetet që janë të bashkuara përmes kësaj marrëveshjeje janë të orientuara kah paqja, siguria dhe integrimi euroatlantik. Ajo që ndodh në Kosovë është përgjigje ndaj përpjekjeve për ruajtjen e stabilitetit dhe nuk është kërcënim ndaj askujt”, ka nënvizuar ai.

Ministri Maqedonci ka konfirmuar se NATO është informuar zyrtarisht për këtë marrëveshje. Ai ka potecuar se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, që përkon me orientimin strategjik të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“NATO është informuar zyrtarisht dhe përmes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë ne jemi në proces të thellimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe shtetet anëtare të saj. Ky është një hap drejt thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.

Duke folur për investimet në ushtri, ai ka potencuar se Kosova nuk synon të krijojë një forcë për të sulmuar ndonjë vend tjetër, por një ushtri moderne dhe të aftë për të mbrojtur integritetin e saj territorial, në përputhje me standardet e NATO-s.

“Jemi duke trajnuar forcat speciale, jemi duke forcuar logjistikën dhe jemi duke krijuar një ushtri moderne që është gati të mbrojë territorin e Kosovës. Ne nuk jemi duke krijuar një forcë për të sulmuar askënd – vetëm për ta mbrojtur vendin tonë, pa marrë parasysh fuqinë apo kapacitetin e armikut”, ka argumentuar ministri Maqedonci.

Ndryshe, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, vendi i vogël ballkanik ka kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Por, duke marrë parasysh se janë katër aleatë që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia – dhe vendimi për anëtarë të rinj duhet të merret në mënyrë unanime, kjo kërkesë nuk ka avancuar.

Shpërndaje në

U Kopjua