Live

Matoshi për propozimin e Ramës: Për faj të Albin Kurtit tashti kujt t’i teket propozon çka t’i teket

20:00 / 08 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njofuar se i ka dorëzuar një draft-status të Asociacionit presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Kjo iniciativë e kryeministrit Rama ka ardhur pas situatës së tensionuar në veriun e Kosovës.

Rama e ka arsyetuar përfshirjen e tij në këtë çështje duke thënë se këtë po e bën për Kosovën, derisa ka inkuruajuar Qeverinë e Kosovës që sa më parë të shtensionojë situatën.

Kryeministri Rama ka thënë se situata është urgjente dhe se Kosova po rrezikon që të humbasë aleatët e saj më të mëdhenj.

Në një prononcim për Periskopin, publicisti i njohur Halil Matoshi, ka thënë se Kosova duhet vet ta bëjë draft-statusin e Asociacionit dhe që i njejti më vonë të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Një draft të tillë e ka prezantuar kohë në janar 2023 FES-i gjerman në Kosovë, por këto mbesin vetëm ide në letër, sepse nuk kanë asnjë ndikim në proces. Vet Kosova përmes mekanizmave kushtetues duhet ta bëjë këtë draft-Statut i cili duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse e kalon testin mund të qitet në tavolinën e dialogut në Bruksel “, tha analisti.

Matoshi gjithashtu kritikoi kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas tij ai në mënyrë arbitrare ka shkarkuar ekipin menagjues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

“Albin Kurti e ka shpjerë këtë proces në rrugë jokushtetuese dhe tashti, kujt t’i teket propozon çka t’i teket. Kurti me vendim arbitrar e ka shpërndarë këtë. Ekip i cili është dashur të plotësohet me një emër të ri duke e shkarkuar vetëm Daniela Vujičić për konflikt Interesi (deputete e Skupština-s Serbe)“, tha ai.

Tutje, Matoshi bëri thirrje që Qeveria të rikthehet te parimet e vitit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se këto parime të Gjykatës Kushtetuese duhen të përmirësohen në mënyrë që ato të jenë brenda Kushtetutës së Kosovës.

“Tashti duhet rikthyer te parimet e vitit 2015, ato duhet korrektuar që të jenë brenda Kushtetutës kosovare dhe të instalohet parimi i vetos së komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Asociacionit (vota e dyfishtë). Besoj se kjo mund të bëhet duke e zbatuar pikën 7 të Marrëveshjës së Ohrit”, theksoi Matoshi

Shpërndaje në

U Kopjua