Live

Matoshi: Sot me këtë qeveri antikapitaliste u cenua rëndë siguria kombëtare e Kosovës

18:20 / 26 Mars 2025

Nga Kosova Live

Analisti Halil Matoshi ka reaguar pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti ka rënë pre e mashtrimit nga rusët të cilët ia kanë bërë një rreng Kurtit duke u prezantuar si presidenti i Letonisë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Matoshi ka thënë se nga kjo gjë, siguria kombëtare e Kosovës është cenuar rëndë.

Postimi i plotë:

Nacionalistat janë rëndom homofobë!

1.

Nji kryeminister nacionalist i të majtes dhe homofob i hapun, shoqnue me nji protokol sigurie për çerkuz, kosovarët normal i bâjnë me u ndi t’hupt n’kohë e hapsinë.

T’mjerë!

2.

Kur Ministria e jashtme drejtohet nga injorantë e vegla qorre t’dogmatizmit, nji person privat (i shamë e pshtymë nga ky pushtet!?) i sjell vendit të vetmen njohje ndërkombëtare, për katër vjet qeverisje!?

3.

Me kso qeverie antikapitaliste e n’konflikt me aleatin strategjik të Kosovës, ShBAtë, âsht cënu rand siguria kombëtare e Kosovës.

Mos thueni nuk e ditëm!

Komedianët rusë mashtruan Kurtin, mendonte se po fliste me presidentin e Letonisë

Komedianët e famshëm rusë, “Vovan & Lexus” kanë publikuar të martën një video me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thonë se ka rënë pre e mashtrimit të tyre. Sipas shkrimit të publikuar, komedianët i janë prezantuar Kurtit si president letonez.

Në videon e publikuar në kanalin e komedianëve, Kurti shihet teksa flet në anglisht në atë që duket si bisedë online direkte.

Në video, Kurti dëgjohet teksa ankohet se ndaj tij ka pasur luftë hibride. Këtu ka thënë se lufta e tillë është bërë kryesisht nga Serbia, Rusia “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”. Sipas tij, lufta e parë ndaj tij është bërë përmes dezinformatave.

Pikë të dytë i ka përmendur “premtimet irracionale nga opozita, që po flirtonte me luftën hibride”.

E në pikë të tretë të “luftës hibride ndaj tij”, Kurti ka përmendur oligarkë.

Kurti ka kritikuar edhe Richard Grenellin, ish-emisarin amerikan për dialogun, Kosovë-Serbi. Sipas kryeministrit Kurti, Grenelli ka punuar katër vjet kundër tij.

“Ai ka qenë edhe instrument në rrëzimin e Qeverisë sime herën e kaluar”, ka thënë Kurti teksa ka shtuar se Grenelli ka dekoratë në Serbi. “Nuk është mirë që të marrësh një të tillë nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral”.

Në video ai ka treguar edhe për furnizimet e ushtrisë e fabrikën e municioneve.

E, Zyra e Kryeministrit ka reaguar më vonë të mërkurën ku ka thënë se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pas zgjedhjeve, kur Kurti po pranonte një numër mesazhesh urimi dhe për rezultatet e zgjedhjeve. Ka shtuar se për shkak të kohës, “nuk ishte gjithnjë e mundshme që të kryheshin verifikime të plota të secilës thirrje”.

“Ky incident fatkeq riforcon atë që e kemi ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar me Kosovën dhe vazhdon ta shënjestrojë shtetin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ”, thuhet në reagimin e ZKM-së.

Shpërndaje në

U Kopjua