Në mbledhjen e 263-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, prokurori Shqipdon Fazliu njoftoi se gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024 (tetor, nëntor, dhjetor), nga sistemit prokurorial janë sekuestruar pasuri 3 milionë e 751 mijë euro.
“Janë raportuar 207 mijë euro pasuri e konfiskuar përfundimisht edhe atë në 7 raste, ndërsa vlera e sekuestrimeve është 3 milionë e 751 mijë euro apo me 51 raste të ndryshme me sekuestrimit”, tha Fazliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Fazliu kërkoi nga Këshilli që të shqyrtojë mundësitë e kërkimit të përgjegjësive për prokuroritë dhe prokurorët që nuk kanë paraqitur kërkesa për shitje të asteve edhe pse i kanë në depo si pasuri.
Sipas Fazliu, një situatë e tillë po sjell dëme në buxhetin e shtetit dhe se qëndrimi për kohë të gjatë të një pasurie në depo, siç janë veturat, humb vlera e tyre dhe se sipas tij është e pakuptimtë pse nuk paraqitet kërkesa për shitje të pasurisë në shumë raste të veturave.
Shqetësuese, Fazliu e konsideroi faktin se gjatë vitit 2024 kanë pasur vetëm 12 raste me konfiskim të përhershëm, për çka, sipas Fazliut, bazuar në tërë sistemin, një numër i tillë është tejet i vogël.
Prokurori tha se bazuar në analizat që janë bërë, del se ka një lloj mëshire nga ana e prokurorëve për mosvendosje të aseteve në shitje dhe se sipas tij kjo mëshirë po i kushton buxhetit të shtetit.
Me shumicë votash, raporti i tremujorit të fundit të vitit 2024, u miratua nga Këshilli.
Kurse, zëvendëskryesuesja e Këshillit, Jehona Gantolli tha se Fazliu është edhe prokuror në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherit koordinator dhe se me vendim kur është caktuar koordinator nuk mund të jetë edhe i angazhuar në Zyrën e Kryeprokurorit.
Gjithashtu, Grantolli tha se Fazliu del të ketë marrë dy paga dhe se vetë personalisht është dashur që ta adresojë këtë çështje, duke pezulluar njërën pozitë.
Mirëpo, prokurori Fazliu tha se personalisht ka kryer detyra dhe punë pa u kompensuar, dhe se personalisht kishte lajmëruar ish-kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi se me vendim nuk parashihet të ushtrojë të dy pozitat.
Fazliu shtoi se sa i përket pagesave, e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës dhe se nuk mundet personalisht të shkojë “të shtyp butonin” për ndalim të pagesës.
Në këtë takim, Këshilli miratoi Rregulloren për Themelimin dhe Funksionimin e Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit.
Për këtë Rregullore, anëtari i Këshillit, Visar Krasniqi tha se nuk lejohet në rregullore të përcaktohen kritere se kush mund të jetë pjesë e ekipeve të përbashkëta, pasi që një gjë e tillë është e përcaktuar me kontratat e punës që kanë me institucionet përkatëse.
Gjithashtu, Krasniqi tha se në këtë Rregullore parashihet të jepen sugjerime dhe komente nga ana e kryeprokurorit apo zëvendëskryeprokurori, çka sipas tij duhet sqaruar këtë rrethanë.
Për këto, fillimisht anëtari i Këshillit, njëherit kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Armend Zenelaj tha se Krasniqi ka qenë në të gjitha takimet dhe se ka mundur të parashtrojë këtë çështje në takim dhe se përcaktimi i kritereve rrit cilësinë e hetimeve.
Ndërkaq, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se sugjerimet dhe komentet për raste specifike parashihen me Kodin e Procedurës Penale.
Këshilli miratoi edhe Rregulloren për Plotësimin dhe Ndryshimin e Rregullores Nr.02/2023 për Veprimtarinë, Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Administratës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Paraprakisht, zëvendëskryesuesja e Këshillit, Jehona Grantolli tha se ka nevojë më shumë për informata për pozitën menaxher i zyrës së drejtorit të Sekretaritatit të Këshillit, dhe se a parashihet një pozitë e tillë me organogram.
Për çka, drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi tha se bazuar në fluksin e punës që kanë, një pozitë e tillë është tejet e nevojshme dhe se si pozitë nuk ka mundësi të jetë e barabartë me atë të vet drejtorit, siç e ka, pasi që kësaj pozite do t’i kërkohen kryerje të detyrave nga vetë drejtori i Sekretariatit.