Live

Mbi 40 hektarë mal digjen në Bjeshkët e Deçanit, shkaktar dyshohet të jetë dora e njeriut

21:49 / 09 Mars 2025

Nga Kosova Live

Gjithçka që përfshihej brenda një hapësirë prej mbi 40 hektarësh në zonën e njohur si “Kulla e Qelisë” të Bjeshkëve të Deçanit u bë shkrumb e hi.

Zjarri që kishte filluar të shtunën, u përhap shpejtë në këtë zonë i ndihmuar edhe nga erërat.

Ekipet e zjarrfikësve të Deçanit e Junikut dhe numër u madh i vullnetarëve mesditën e së dielës ishin ende në luftë me flakët.

“Deri tash në një perimetër shumë të madh është lokalizuar zjarri, diku janë 40-50 hektar, tereni siç po shihet është shumë i vështirë dhe rrezikshëm”, ka theksuar për RTVDukagjini, Shaqë Mati, zjarrfikës.

Ndaljen e zjarrit e bënte edhe më të vështirë terreni i papërshtatshëm.

Rruga për të arritur deri tek pjesa e malit që është duke u djegur është goxha e vështirë dhe atje mund të arrihet veç me pajisjet të cilat i posedojnë organet kompetente, megjithatë në këtë djegie të malit e cila po bëhet në këtë pjesë të Deçanit e mirë është që nuk ka shtëpi dhe banorë që janë duke banuar atje të cilët mund të ishin rrezikuar.

Ndërkaq, pak kohë më vonë komandanti i “Brigadës së Zjarrfikësve” në këtë komunë tha që zjarri është lokalizuar, dhe se pa ndihmën e ofruar do ishte e pamundur.

“Ka qenë një zjarrë shumë i madh dhe ka pas shumë telashe, jemi mobilzu me krejt zjarrfikësit që kemi pas, ka pas vullnetarë me të cilët jemi mundu edhe sot tërë ditën prej mëngjesit duke ndal zjerm”, ka deklaruar Besim Selmanaj, Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Deçan.

Ndërkaq, shkaktimin e tij kryetari i komunës Bashkim Ramosaj po e sheh të shkaktuar veç nga dora e njeriut.

“Ajo që nuk do ndonjë koment është që zjarri nuk ka arsyetim tjetër është zjarr i vendosur prej ndonjë njeriu, prej pakujdesie dikush që shkon me bo piknik ose shëtitje”, ka theksuar Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit.

Shpërndaje në

U Kopjua