Avokatja e Jakup Krasnqit, në parashtresën e fundit, pas insistimit të Prokurorisë në Hagë që ish krerët e UÇK-së të mos lirohen nga paraburgimi, ka thënë se kjo masë është krejtësisht e panevojshme.
Aty thuhet se vazhdimi i paraburgimit në këto rrethana mund të perceptohet si dënim preliminar.
“Jakup Krasniqi tashmë ka pësuar katër vjet e gjashtë muaj ndalim. Ky privim i zgjatur i lirisë peshon rëndë kundër ndalimit të vazhduar, sidomos pas së drejtës themelore për të qenë i pafajshëm i supozuar dhe gjatësisë së jashtëzakonshme të kohës të cilën ai tashmë e ka vuajtur pa dënim. Ndalimi është përjashtimi, jo rregulla, dhe duhet të jetë masë e zgjedhjes së fundit. Ndalimi i vazhduar i z. Krasniqi në këto rrethana mund të perceptohet si dënim preliminar, që bie ndesh me prezumimin e pafajësisë dhe do t’i minojë mu të drejtat që e formojnë themelin e një gjykimi të drejtë”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Sipas avokates, pretendimet se Krasniqi mund të pengojë procedurat duke ndërhyrë te dëshmitarët që kanë dëshmuar tashmë, ose në ndonjë çështje që do të ngrihet, është tërësisht spekulativ.
“Rrethanat tani kanë ndryshuar thelbësisht. Prokuroria ka thirrur dëshmitarin e saj të fundit dhe arsyetimi kryesor për vazhdimin e paraburgimit – domethënë, rreziku që Z. Krasniqi mund të ndërhyjë te dëshmitarët e Prokurorisë – nuk ekziston më në asnjë formë konkrete ose të besueshme. Nuk ka dëshmitarë të tjerë për të ndikuar. Çdo pretendim se Z. Krasniqi mund të pengojë procedurat duke ndërhyrë te dëshmitarët që kanë dëshmuar tashmë, ose në ndonjë çështje që do të ngrihet nga Mbrojtësi i Viktimave, është tërësisht spekulativ, i mungon çdo bazë faktike dhe është i pamjaftueshëm për të justifikuar privimin e tij nga liria e tij më tej. Mbështetja e vazhdueshme në hamendësime të këtij lloji do të ishte joproporcionale dhe e pajustifikueshme”, raporton nacionale, transmeton klankosova.tv.
Avokatja po ashtu ka listuar edhe sfidat e Jakup Krasniqit në paraburgim, përfshirë moshën e shtyrë.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka propozuar 7 masa konkrete të cilat Krasniqi është i gatshëm t’i zbatojë në arrest shtëpiak, vetëm që të lirohet dhe të qëndrojë pranë familjes.
Të gjitha ekipet mbrojtëse, njëzëri, kritikojnë faktin se pavarësisht që kanë përfunduar dëshmitarët e Prokurorisë dhe janë dorëzuar të gjitha provat, klientët e tyre nuk po lirohen.