Vendimi i prodhuesit koreano-jugor të makinave Kia për të debutuar me një logo të re vitin e kaluar duket se ka ngatërruar mijëra klientë të mundshëm në mbarë botën.
Në janar 2021, marka Kia prezantoi logon e saj të re e cila lidhte shkronjat “K”, “I” dhe “A” – në krahasim me logon e saj të mëparshme ku shkronjat dalloheshin qartë brenda një forme ovale.
Logoja e re debutimin e saj në Australi e bëri në maj të vitit 2021 me makinën e vogël Kia Cerato, me logon e përditësuar të vendosur tani për të gjitha makinat e reja Kia të shitura në këtë treg, raporton Drive, përcjell Telegrafi.
Në një postim në platformën e rrjeteve sociale Twitter, Ashwinn Krishnaswamy ngarkoi të dhëna që tregonin se rreth 30,000 njerëz kanë kërkuar për ‘makinë KN’ në Google muajt e fundit, duke ngatërruar logon e re të Kia-s me dy shkronjat e markës KN.