Live

Messi ka muaj që negocion fshehurazi me një klub, PSG dhe Barcelona të frikësuar

08:50 / 22 Nëntor 2022

Nga Denis Fana

Futbollisti i Paris Saint-Germain dhe përfaqësueses argjentinase, Lionel Messi, është duke negociuar fshehurazi me Interin nga Miami, i cili është në pronësi të ish-përfaqësuesit anglez David Beckham, raporton britanikja “Athletic”, transmeton Demokracia.com.

Messi ka kontratë me kampionët e Francës deri në fund të sezonit dhe në afatin kalimtar të verës mund të kalojë në një klub tjetër pa kompensim.

Mediat britanike kujtojnë se futbollisti argjentinas ende nuk ka vendosur se në cilin klub do të luajë sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit e PSG-së i kanë ofruar tashmë Messit një vazhdim të kontratës disa herë.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë së fundmi se klubi katalanas i ka borxh moral Messit dhe dëshiron që argjentinasi të përfundojë karrierën e tij si lojtar në skuadrën e “Nou Camp”.

Megjithatë, “Athletic” raporton se Messi prej muajsh negocion fshehurazi me Inter Miamin. Një burim pranë drejtuesve të klubit ka thënë për gazetën britanike se drejtuesit e Interit kanë besim se mund ta bindin futbollistin argjentinas që të vazhdojë karrierën në ligën MLS.

Messi ka deklaruar vazhdimisht se prioriteti i tij është Botërori i ardhshëm në Katar dhe se pas Botërorit do të vendos se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Messi luajti 17 ndeshje këtë sezon dhe shënoi 12 gola dhe pati 13 asistime. Ai mbërriti në PSG në vitin 2021, pasi kishte luajtur më parë për 21 vite te Barcelona, ​​me të cilën fitoi 34 trofe.

Shpërndaje në

U Kopjua