Pas shiut të rrëmbyeshëm në Milano, moti i keq përfshiu sot Firencen, Torinon, Genovën dhe disa zona të Napolit.
Zjarrfikësit dhe mbrojtja civile u mobilizuan për të ndihmuar banorët që jetonin në katet përdhese dhe nuk ishin në gjendje të largoheshin. Në Milano, dy punëtorë u plagosën ndërsa përpiqeshin të hiqnin trungjet dhe degët e pemëve që kishin rënë në rrugë për shkak të erërave të forta. Ishin rreth 500 Operacione shpëtimi brenda një ore, pas sasisë së madhe të shiut që ra në një orë.
Më herët, trafiku u rivendos në linjën hekurudhore që lidh Milanon me Bolonjën, ku mbrëmë një tren u godit nga rrufeja. Asnjë nga pasagjerët nuk u lëndua. Jashtë Venedikut, policia shpëtoi një banor i cili, pavarësisht paralajmërimit të autoriteteve për përkeqësim të kushteve të motit, kishte vendosur të shkonte në det për të notuar dhe nuk mundi të kthehej në breg.
Italia duket e ndarë në dysh ku në shumë zona të jugut, vala e të nxehtit vazhdon, duke sjellë probleme thatësire. Ndërsa në shumë zona qendrore dhe veriore, breshëri që ra orët e fundit ka shkaktuar dëme të mëdha, kryesisht në vreshta.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, në Gjenova sonte priten reshje të reja, të dendura, dhe nesër mund të ketë rrebeshe në 14 nga 20 rajonet e vendit.