Jose Mourinho dëshiron të rikthehet te Real Madridi. Goal.com shkruan se trajneri portugez tashmë ka hedhur poshtë një numër të madh ofertash që pas shkarkimit të tij nga Manchester United, dhjetorin e kaluar.
Që nga ajo kohë është shfaqur si ekspert nëpër studiot televizive, ndërsa po pret punën e tij të radhës. Trajneri luzitan mësohet se është shumë i interesuar për një ftesë nga Real Madridi, sigurisht nëse presidenti Perez do të vendosë të shkarkojë Zinedine Zidane.
Midis majit dhe shtatorit, Mourinho hodhi poshtë ofertat nga Monaco, Lille, Wolfsburg, Schalke dhe AC Milan.
Bosi Portugez, gjatë asaj kohe, i kishte sytë të fiksuar në tre klube: Paris Saint-Germain, Juventus dhe Bayern Munich.
Mourinho, i cili ka mësuar gjermanishten, gjithashtu ka qenë i hapur për një transferim te Tottenham në fillim të këtij viti, pasi ai besonte se Real Madridi do të merrte Mauricio Pochettinon pas shkarkimit të Santiago Solarit.
Perez mori vendimin për të nënshkruar me Zinedine Zidane, duke u dhënë fund thashethemeve se Pochettino do të largohej nga Londra.
Tani, Mourinho është i interesuar për t’u kthyer te Reali nëse klubi vendos të heqë Zidane, sikurse janë shtuar zërat kohët e fundit.